Në Kosovë u “tkurr” numri i popullsisë, vitin e mbyllëm me mbi 1 milion banorë e me pagën më të ulët minimale në Evropë

Në vitin 2024 përpos të dhënave të shumta që u dhanë për punësim, jo-punësim, ikje të qytetarëve e gjithçka tjetër po ashtu u bë e ditur se Kosova ka mbi 1 milion banorë. Saktësisht 1,586,659 banorë shënon numri i popullsisë në Kosovë sipas statistikave të fundit të nxjerra nga regjistrimi i Agjencisë së Statistikave të…

Lajme

03/01/2025 21:49

Në vitin 2024 përpos të dhënave të shumta që u dhanë për punësim, jo-punësim, ikje të qytetarëve e gjithçka tjetër po ashtu u bë e ditur se Kosova ka mbi 1 milion banorë.

Saktësisht 1,586,659 banorë shënon numri i popullsisë në Kosovë sipas statistikave të fundit të nxjerra nga regjistrimi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, u zhvillua në të gjitha komunat e Kosovës nga 5 prilli deri më 24 maj.

Sa i përket regjistrimit të komunitetit serb, ASK pati njoftuar se procesi u bojkotua në masë të madhe në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Ndërkaq, serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër kanë marrë pjesë në procesin e regjistrimit.

Sipas të dhënave paraprake, në Mitrovicë të Veriut janë regjistruar 2.300 persona, në Zveçan, 435, në Zubin Potok 758 dhe në Leposaviq 3.207.

Nga ASK u bë e ditur se mosha mesatare në Kosovë është rritur. Më 2011, mosha mesatare në vend llogaritej të jetë rreth 30 vjeç, ndërkaq tani është 34.32.

Gjatë prezantimit të të dhënave u tha se nëntë komuna kanë pasur rritje të popullsisë, ndërkaq 29 të tjera ka pasur rënie.

Fushë- Kosova prin me rritjen më të madhe prej rreth 84 për qind, ndërkaq rënie më të madhe të popullsisë, prej 36.5 është shënuar në Kamenicë.

Në Fushë Kosovë po ashtu jetojnë më së shumti persona në një kilometër katror, përkatësisht 762.

Në më shumë se dhjetë vite që nga matja e fundit e numrit të popullsisë rezidente në Kosovë, dendësia e këtij numri ka pësuar rënie.

1,739,825 shënonte ky numër në regjistrimet e vitit 2011.

Në bazë të këtyre të dhënave vihet në përfundim se numri ka rënë për 153,166 banorë.

E në raport me numrin e popullsisë, rritje tejet të ulët ka shënuar paga minimale.

Kjo pagë në Kosovë vazhdon të mbetet sërish më e ulëta në kontinentin evropian, ndërsa prin shteti i Luksemburgut.

Rroga minimale e një shteti përcaktohet me ligj dhe zbatohet për shumicën e punonjësve të atij vendi. Në Kosovë mbeti e pandryshuar për një periudhë të gjatë kohore, afërsisht një dekadë qysh nga viti 2011.

Punonjësit në Kosovë sytë i mbanin kah ndryshimi i ligjit që do të përcaktonte pagën minimale.

E për një kohë të gjatë kjo në vendin tonë u përcaktua kështu, në dy kategori: 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç. Ndërsa 170 euro të punësuarit mbi këtë moshë.

Paga e re minimale në vend e miratuar më 2024 pas preku të gjithë punonjësit rrogat e të cilëve ishin nën 350 euro sipas Qeverisë. Nga ndryshimi i këtij vendimi, paga minimale në vendin tonë u vendos të jetë 350 euro.

Vendimi për rritjen e pagës minimale në Kosovë hyri në fuqi më 1 tetor të vitit 2024 e u përcoll me një varg ankesash nga qytetarët e një masë deputetësh të Kosovës.

Kjo rritje u bë vetëm disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për pagën minimale, i cili parashihte një rritje të pagës minimale në 264 euro bruto për të gjithë të punësuarit në sektorin publik e privat.

Por, me vendimin e ri të Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, shkalla e re e pagës minimale do të jetë 2 euro për orë pune të rregullt, apo 350 euro bruto në muaj për orar të plotë.

Paga e re minimale do t’i prekë rreth 150.000 të punësuar, të cilët punojnë me paga më të ulëta se 350 euro, kryesisht në sektorin privat, sipas Kurtit dhe ministrit të Financave të Kosovës, Hekuran Murati.

Kosova, deri më tani e ka pasur pagën minimale më të ulët në Evropë, 170 euro, ndërsa Luksemburgu më të lartën, 2.571 euro.

Por nëse krahasojmë dhe e vëmë në një matje matematikore këtë pagesë me çmimet e produkteve e shërbimeve esenciale për jetesë, mbulimi i një muaji në Kosovë lë shumë për të dëshiruar.

Çmimet vazhdojnë të mbesin të larta, e në veçanti produktet ushqimore.

Gjendja nuk ka ndryshuar për më mirë qysh nga koha e përballjes me COVID-19.

Pagat që për vite të tëra nuk kanë ndryshuar kanë pamundësuar një standard më të mirë jetese për qytetarët. E dyshimet e para që këtu mund të qëndrojë edhe arsyeja pse shumica e qytetarëve të vendit mundësinë më të mirë të punës e jetës e kanë parë diku jashtë vendit, çka edhe ka pësuar me migrimin e tyre. /Lajmi.net/