Kthimi në punë i policëve të suspenduar nga rasti i vrasjes së gruas tek QKUK-ja, Policia: Suspendimi u ndërpre me rekomandim të IPK-së

Pas rastit të rëndë të Arlinda Zekaj, e cila u vra nga kunati i saj Albert Sylaj pas raportimeve të njëpasnjëshme për dhunë në familje, kërcënime e shantazh. Neglizhenca e policisë, prokurorisë e deri tek gjyqësori dhe Komunna në rastin e Arlinda Zekaj, kanë kthyer në pah edhe detaje nga raste të tjera që kanë…

Lajme

11/11/2026 11:26

Pas rastit të rëndë të Arlinda Zekaj, e cila u vra nga kunati i saj Albert Sylaj pas raportimeve të njëpasnjëshme për dhunë në familje, kërcënime e shantazh.

Neglizhenca e policisë, prokurorisë e deri tek gjyqësori dhe Komunna në rastin e Arlinda Zekaj, kanë kthyer në pah edhe detaje nga raste të tjera që kanë ndodhur në Kosovë.

Një rast i ngjashëm ishte edhe ai i vrasjes së Hamide Magashit në oborrin e QKUK-së, ku më pas u suspenduan disa prej zyrtarëve policorë.

Por suspendimi i tyre kishte zgjatur pak muaj.

E tani nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan, të cilët ishin trajtuar në kuadër të rastit të Hamide Magashit, janë shpallur të pafajshëm për shkeljet disiplinore për të cilat akuzoheshin.

Në një përgjigje për lajmi.net, Policia ka njoftuar se Drejtoria për Hetime të Brendshme e kishte proceduar lëndën në Komisionin Disiplinor ndaj dy punonjësve të Stacionit Policor në Lipjan, duke rekomanduar masa disiplinore ndaj tyre.

Komisioni Disiplinor kishte mbajtur seancë dëgjimore më 19 shtator 2023. Pas shqyrtimit të raportit hetimor dhe dëgjimit të punonjësve, paneli kishte vendosur që lënda të kthehej në hetim plotësues, me qëllim të sqarimit të disa çështjeve konkrete.

Pas pranimit të rezultateve të hetimit plotësues, më 24 tetor 2023 ishte mbajtur një tjetër shqyrtim disiplinor, ku paneli kishte vendosur që dy punonjësit të shpalleshin si jo-përgjegjës për shkeljet e pretenduara në raportin hetimor.

“Pas pranimit të Hetimit plotësues  është caktuar dhe mbajtur shqyrtimi disiplinor me datë 24.10.2023 dhe mbi bazën e argumenteve Paneli disiplinor punonjësit e apostrofuar i ka shpallë JO përgjegjës ( të pa fajshëm) për shkeljen e pretenduar nga raporti hetimor. Sa i përket  ndërprerjes se suspendimit  të njëjtëve, ju ka ndërprerë suspendimi me rekomandim të IPK-se dhe pas shqyrtimit nga PK-ja.”, kanë thënë nga IPK për lajmi.net.

Në lidhje me këtë rast, IPK-ja pak ditë më parë ka dhënë detaje për lajmi.net në lidhje me hetimet që kishte zhvilluar lidhur me veprimet policore në rastin e të dyshuarit S.H., për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës”.

IPK-ja ka bërë të ditur se hetimet paraprake kishin nisur në dhjetor të vitit 2022, sipas detyrës zyrtare. Pas veprimeve hetimore, ishin identifikuar katër zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan: komandanti i stacionit, një rreshter dhe dy hetues.

Sipas IPK-së, kishte dyshime të arsyeshme për elemente të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, në lidhje me zbatimin e urdhrit mbrojtës.

Më 17 mars 2023, IPK-ja kishte ngritur kallëzim penal ndaj tre zyrtarëve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Megjithatë, më 15 qershor 2023, Prokuroria e kishte njoftuar IPK-në se kallëzimi penal ishte hedhur poshtë.

Pas kësaj, suspendimi i zyrtarëve ishte ndërprerë më 4 prill 2023, ndërsa rasti ishte përcjellë për trajtim administrativ dhe disiplinor në Policinë e Kosovës.

IPK-ja ka bërë të ditur se tashmë ka nisur një proces verifikimi dhe inspektimi të jashtëzakonshëm lidhur me mënyrën se si Komisioni Disiplinor i Policisë e ka trajtuar këtë rast, duke paralajmëruar se varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren veprimet e mëtejme konform autorizimeve ligjore.

Si ndodhi vrasja e Hamide Magashit dhe pse u suspenduan policët?

Hamide Magashi, 35-vjeçare dhe në muajin e nëntë të shtatzënisë, u vra më 30 nëntor 2022 në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), nga bashkëshorti i saj, Sokol Halili.

Pas vrasjes, Halili ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe për disa ditë ishte në arrati. Më 2 dhjetor 2022, ai vrau veten në shtëpinë e tij në fshatin Davidovc të Shtimes, gjatë një aksioni policor për arrestimin e tij.

Rasti kishte nxitur reagime të shumta, pasi Hamide Magashi kishte pasur urdhër-mbrojtje nga 13 shtatori 2022 deri më 13 mars 2023. Për zbatimin e këtij urdhri ishin përgjegjëse edhe strukturat policore në Shtime dhe Lipjan.

Tri ditë pas vrasjes, më 3 dhjetor 2022, me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, ishin suspenduar katër zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan: komandanti i stacionit, një rreshter dhe dy hetues.

Suspendimi ishte bërë nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, lidhur me mënyrën e trajtimit dhe zbatimit të urdhrit-mbrojtës për viktimën.

Megjithatë, zyrtarët nuk qëndruan gjatë jashtë detyrës. Më 4 prill 2023, Policia e Kosovës ua ndërpreu suspendimin, pasi IPK-ja kishte njoftuar se kishin pushuar arsyet për suspendim në interes të hetimit. Ata u kthyen në vendet e tyre të punës.

Ndërkohë, më 17 mars 2023, IPK-ja kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj tre zyrtarëve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndërsa ndaj komandantit të stacionit kishte kërkuar inicimin e procedurës disiplinore.

Më 15 qershor 2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë e njoftoi IPK-në se kallëzimi penal ndaj zyrtarëve policorë ishte hedhur poshtë.

Ndërsa, procedura disiplinore brenda Policisë së Kosovës për dy punonjësit, sipas përgjigjes së Policisë për lajmi.net, kishte përfunduar më 24 tetor 2023, kur paneli i kishte shpallur ata të papërgjegjshëm për shkeljet e pretenduara.

Tash, gati katër vjet pas vrasjes së Hamide Magashit, IPK-ja ka nisur një inspektim të jashtëzakonshëm për të verifikuar mënyrën se si Komisioni Disiplinor i Policisë së Kosovës e kishte trajtuar këtë rast. Varësisht nga të gjeturat, Inspektorati ka paralajmëruar ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore.

Kurse ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla deklaroi se nga ky rast kanë ndodhur gjëra të çuditshme.

“Për rastin e Lipjanit, kam kërkuar nga IPK-ja të rifillojë inspektimin e këtij rasti. Është e çuditshme se si zyrtarët policorë janë liruar nga përgjegjësia penale nga prokurorja katër ditë para pensionimit të saj. Mbetet edhe më thellë që kjo çështje të hetohet, por inspektohet puna e komisionit disiplinor dhe atij të ankesave dhe të Policisë së Kosovës sepse pavarësisht përgjegjësisë penale, duhet bërë vlerësim i integritetit të zyrtarit policor veç e veç dhe në paralel me çfarëdo vendimi penal , komisionet duhet të marrin vendimet meritore. Pres së shpejti të kemi rezultatet e para nga ky inspektim i rastit të Lipjanit, meqenëse është përmendur edhe më herët nga mediat, dorën në zemër ka gjëra të çuditshme”,deklaroi ai. /Lajmi.net/