27 vite pas protestës së studentëve, shënohet Dita e Studentëve në Universitetin e Prishtinës

Sot në Universitetin e Prishtinës është shënuar Dita e Studentëve e organizuar nga Parlamenti Studentor në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, e cila sipas Statutit të ri është më 1 tetor. Ministria e Arsimit përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar për pjesëmarrjen e Zëvendësministrit të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arsim Ademit…

Lajme

01/10/2024 15:38

Sot në Universitetin e Prishtinës është shënuar Dita e Studentëve e organizuar nga Parlamenti Studentor në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, e cila sipas Statutit të ri është më 1 tetor.

Ministria e Arsimit përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar për pjesëmarrjen e Zëvendësministrit të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arsim Ademit i cili ka theksuar rëndësinë historike të kësaj dite, duke kujtuar protestën e 1 tetorit 1997.

Ademi ka thënë se ngritja e nivelit të arsimit është një prioritet për Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit, pasi sipas tij, studentët janë një pjesë e rëndësishme e këtij procesi dhe do të kenë gjithmonë mbështetjen e Ministrisë.

“Zv/ministri Ademi ka theksuar përparimet e rëndësishme në sektorin e arsimit, veçanërisht në arsimin e lartë. Ai përmendi hartimin e Strategjisë së Arsimit 2022-2026, e cila synon të zhvillojë sektorin e arsimit në pesë vitet e ardhshme dhe përfshinë pesë objektiva kryesore që adresojnë çështjet kyçe në fushat prioritare. Ndër të tjera, zëvendësministri Ademi përmendi marrëveshjen e bashkëpunimit me Shqipërinë në fushën e arsimit, e cila synon të forcojë lidhjet dhe të përmirësojë cilësinë e arsimit në të dy vendet”, ka shkruar MASHTI në Facebook. 
Prorektori për Kërkime Shkencore, Projekte dhe Inovacione, Avni Hajdari ka folur për rëndësinë e inovacionit dhe kreativitetit në përballjen me ndryshimet e shpejta të kohës sonë. Ai ka inkurajuar studentët të udhëheqin këto ndryshime dhe të përdorin të gjitha mundësitë për të ngritur nivelin e arsimit.
Ndërsa, kryetarja e Parlamentit Studentor, Blerta Zeqiraj ka theksuar rëndësinë historike të Universitetit të Prishtinës gjatë okupimit serb. Ajo përmendi se Universiteti u bë një qendër e rezistencës qytetare dhe se data 1 Tetor është simbol i qëndresës dhe luftës për të drejtat e studentëve.
Postimi i plotë në Facebook: