25 kandidatë për bord të OSHP-së, pesë nga katër anëtarët e propozuar kanë aplikuar përsëri

Javë më parë në Kuvendin e Kosovës ka dështuar për të dytën herë votimi për emërimin e pesë anëtareve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Pas këtij dështimi, zyra e kryeministrit ka rihapur konkurs për të tretën herë.

Lajme

20/01/2022 10:17

Në konkursin e hapur për përzgjedhjen e kryetarit dhe katër anëtarëve të OSHP-së, zyra e kryeministrit ka pranuar kandidaturat para pak ditëve.

“Ju njoftomë se në konkursin e shpallur për kryetar dhe katër (4) anëtarë të OSHP-së, gjithsejtë kanë aplikuar 25 kandidatë. Qeveria e Republikës së  Kosovës me Vendimin Nr.03/54 të datës 12.01.202 e ka emëruar Komisionin përzgjedhës i cili më datën 14.01.2022  ka mbajtur takimin për shqyrtimin e CV-ve të kandidatëve që kanë aplikuar. Çështja është ende në proces”, ka bërë të ditur për lajmi.net, zyra për informim e kryeministrit të Kosovës.

Kjo zyre ka zbuluar edhe emrat e kandidatëve që kanë garuar për anëtarë dhe Kryetar të Bordit.

Kandidatët e propozuar nga organi përzgjedhës i pavarur për bordin e OShP-së të cilët patën dështuar të zgjedhën në kuvend kanë qenë: Ardian Behra, Hasim Krasniqi, Faruk Rexhaj, Adem Spahiu dhe Ruzhdi Morina.

Sipas listë së dërguar nga zyra e kryeministrit, tash është tërhequr nga gara kandidati Ruzhdi Morina, emri i të cilit kishte shkuar në Kuvend për votim.

Janë tërhequr edhe dy anëtarë tjerë, emrat e të cilëve ishin selektuar në listën e ngushtë nga përfaqësuesit e projektit të Ambasadës Britanike, emrat e të cilave nuk kishin shkuar në Kuvend, bëhet fjalë për Shqipe Hoti dhe Gazmend Gashi.

Shumica e kandidatëve janë të njëjtit që kanë garuar edhe më herët.

Zyra e kryeministrit ka pranuar këtë emra, për të cilët i ka lejuar qasje lajmi.net:

Në Kuvendin e Kosovës kishte dështuar për të dytën herë votimi për emërimin e pesë anëtareve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e cila ka shumicën në Parlament, nuk kishte votuar për kandidatët për anëtarë të Bordit të OSHP-së, ani pse të gjitha procedurat ishin udhëhequr nën qeverisjen e tyre, pasi konkursin e parë e kishin anuluar më të ardhur në pushtet.

Më datë 10 dhjetor është rihapur konkursi i ri, i cili ka qenë i hapur deri më 24 dhjetor.

Kriteret e konkursit janë po ato të njëjtat që kanë qenë edhe herën e kaluar.

Derisa të zgjidhet Bordi i ri, më së shumti po e pësojnë projektet kapitale, ngase ka zvarritje në implementimin e tyre për shkak të vonesave të ankesave që adresohen në OSHP, të cilat mund të trajtohen vetëm nga Bordi. Pos kësaj, është rritur edhe dyshimi për procedim të kundërligjshëm nga ana e zyrave të prokurimeve. /Lajmi.net/