24 policë humbën jetën për sigurinë tonë, familjet e tyre lihen pa pagesa nga Ministria e Hekuran Muratit
Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për mos-pagesën e familjeve të policëve të rënë në detyrë për muajin dhjetor, pavarësisht kërkesave zyrtare për ndarjen e 290,000 eurove nga Drejtoria e Financave. Sipas Sindikatës, deri më tani Ministria e Financave nuk ka ekzekutuar këto mjete, duke lënë pa pagesë familjet e një…
Lajme
Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për mos-pagesën e familjeve të policëve të rënë në detyrë për muajin dhjetor, pavarësisht kërkesave zyrtare për ndarjen e 290,000 eurove nga Drejtoria e Financave.
Sipas Sindikatës, deri më tani Ministria e Financave nuk ka ekzekutuar këto mjete, duke lënë pa pagesë familjet e një kategorie të shenjtë dhe të respektuar për vendin, transmeton lajmi.net.
Ky reagim vjen në nderim të policëve që kanë dhënë jetën për sigurinë, rendin publik dhe mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Që nga viti 2001 e deri më 2025, në kryerje të detyrës kanë humbur jetën 24 policë dhe rreshterë.

Sindikatat nënvizon se sakrifica e këtyre policëve nuk duhet të harrohet, ndërsa mungesa e pagesave ndaj familjeve të tyre është e papranueshme dhe dhimbshme. Ato bëjnë thirrje urgjente tek institucionet përgjegjëse, veçanërisht Ministria e Financave, që të veprojë menjëherë dhe të realizojë pagesat e mbetura, në mënyrë që të mos cenohet dinjiteti dhe mirëqenia e familjeve të policëve të rënë në detyrë.
“Familjet e policëve që dhanë jetën për sigurinë tonë meritojnë respekt dhe mbështetje të plotë. Sakrifica e tyre është sublime dhe nuk guxon të harrohet,” thekson Sindikata e Policisë së Kosovës.
Dy policët e fundit që vdiqën në krye të detyrës ishin heroi i kombit, Rreshteri Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë sulmit të terroristëve serb në Banjskë me 24 shtator 2023 dhe Rreshteri Muhamed Lika u vra mbrëmjen e 1 prillit në hyrje të banesës së tij në Kaçanik, nga person i një grupi që ai ishte duke e hetuar./lajmi.net/