“24 hektarë për hatrin tënd” – Rashiq mundohet të sqarohet për deklaratën e tij, thotë se e ngatërroi me vizitën e patriarkut në Kosovë

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq përmes një deklarate të tij, ka sjell debat publik dhe reagime të shumta. Në një intervistë për radion lokale, Radio Gorazhdevci, Nenad Rashiq tha se kryeministri Albin Kurti i ka dhënë Manastirit të Deçanit 24 hektarë për “hatër të tij”. “Do ta them, ndoshta pa modesti, por ndodhi…

Lajme

09/03/2026 11:22

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq përmes një deklarate të tij, ka sjell debat publik dhe reagime të shumta.

Në një intervistë për radion lokale, Radio Gorazhdevci, Nenad Rashiq tha se kryeministri Albin Kurti i ka dhënë Manastirit të Deçanit 24 hektarë për “hatër të tij”.

“Do ta them, ndoshta pa modesti, por ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Për vite me radhë kam shpjeguar pse ishte e rëndësishme. Në fund, kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por e di – për shkakun tënd” – deklaroi Rashiq.

Kjo deklaratë e tij, solli shumë reagim nga partitë opozitare por edhe nga shoqëria civile.
E për ta sqaruar këtë, sot Nenad Rashiq në një deklarim për lajmi.net ka thënë se ishte vetëm një ngatërresë.
Ai tha se e kishte fjalën për vizitën e patriarkut në Kosovë, për këtë e kishte dëgjuar Kurti dhe jo për 24 hektarë.

“Është një fjalë dhe një rast tjetër që ka ndodhur me të vërtetë për viziten e patriarkut ne vitin 2023, mos gabofsha. Kështu që në kete rast ka ndodhur një ngatërrim i fjalëve”, ka thënë Rashiq për lajmi.net.

Kur është pyetur se a kishte të bënte deklarata e tij me 24 hektarët, Rashiq e ka mohuar.

“Jo, jo! Atë koment kur e dhashë deklaratën e kam krijuar konfuzion dhe kam perdorur një rast tjetër në vend të ketij rasti. Pra aty është një gabim”, ka thënë Rashiq për lajmi.net/

Në lidhje me deklaratën e tij, sqarim ka dhënë dje edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka. Edhe ai si Rashiq, ka thënë se deklarata e tij lidhej me vizitën e patriarkut në Kosovë dhe jo me 24 hektarët.

“Ajo çka ka ngatërruar ministri Nenad Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, siç mund ta shihni në fotografinë më poshtë”, ka shkruar Manxhuka.

Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë, vlerësoi se deklarata e Rashiqit tregon se Qeveria e Kurtit ndjek politika me “logjikë feudale”, sepse territori i shtetit trajtohet si pronë që jepet “për hatër” të dikujt.

Ish-deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë, Driton Selmanaj, e përshkroi deklaratën e Rashiqit si “shqetësuese”, sepse tregon, sipas tij, se Qeveria aktuale e trajton pronën shtetërore si pronë personale.

“Çështje kaq të ndjeshme, që lidhen me territorin dhe pronën në Republikën e Kosovës, nuk mund të trajtohen si favore personale mes politikanësh”, shkroi Selmanaj.

Për vite me radhë, autoritetet lokale në Deçan refuzuan t’i lejonin Manastirit të regjistronte 24 hektarë tokë dhe pyje në kadastër, duke konsideruar se prona u përkiste ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”.

Atëkohë, vlerësohej se Gjykata Kushtetuese kishte “legalizuar” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, të vitit 1997, kur ai vendosi t’ia dhuronte pronën Manastirit të Deçanit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas vendimit që tokat t’i ktheheshin Manastirit të Deçanit, tha se qëndrimi i tij ndaj “këtij vendimi më të dëmshëm ndonjëherë” nuk do të ndryshojë.

Megjithatë, ai shtoi se nuk ka asnjë dyshim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “nuk do të ishte vetëm një fitore historike, por edhe një hap gjigant” drejt njohjes së Kosovës nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë marrë ende një vendim të tillë. /Lajmi.net/