22 marsi pushim zyrtar – Berishës i kërkohet të shtyjë datën e protestë, plas debati në PD
Partia Demokratike ka njoftuar protestë kombëtare në datën 22 mars. Por kjo datë përkon me një ditë pushimi zyrtar në Shqipëri, pasi shënohet Sulltan Nevruzi, një festë që për shumë qytetarë ka edhe dimension shpirtëror dhe familjar. Pikërisht kjo përputhje ka nxitur debat brenda radhëve të opozitës. Sipas burimeve, në Partinë Demokratike janë zhvilluar diskutime,…
Lajme
Partia Demokratike ka njoftuar protestë kombëtare në datën 22 mars. Por kjo datë përkon me një ditë pushimi zyrtar në Shqipëri, pasi shënohet Sulltan Nevruzi, një festë që për shumë qytetarë ka edhe dimension shpirtëror dhe familjar.
Pikërisht kjo përputhje ka nxitur debat brenda radhëve të opozitës. Sipas burimeve, në Partinë Demokratike janë zhvilluar diskutime, madje edhe me tone të larta, për mundësinë e shtyrjes së protestës në një datë tjetër.
Një burim i tha Shqip.com se një pjesë e strukturave të PD i kanë kërkuar kryetarit, Sali Berisha që protesta e 22 marsit të anulohet dhe të caktohet një datë tjetër, pikërisht për shkak se përkon me festën e Sulltan Nevruzit. Megjithatë, sipas të njëjtit burim, Berisha nuk e ka pranuar këtë propozim dhe ka qenë i vendosur që protesta të mbahet në datën e paralajmëruar si formë reagimi nga ana e qytetarëve, pasi mazhoranca refuzoi t’i heqë imunitetin Belinda Ballukut.
Edhe publikisht, Berisha është shprehur se shqiptarët presin vazhdimin e revoltës dhe se, sipas tij, nuk është koha për festë.
Por pikërisht këtu lind edhe dilema politike. Se si e mat tempin e revoltës së shqiptarëve Sali Berisha dhe qasjen e tyre festive apo jo, kjo mbetet për t’u parë e kuptuar në vijim. Në një klimë ku pjesëmarrja qytetare shpesh varet nga shumë faktorë socialë dhe ekonomikë, vendosja e një proteste në një ditë feste mbetet një zgjedhje që mund të interpretohet në mënyra të ndryshme.
Në fakt, qëndrime të kësaj natyre, ashtu si edhe retorika e përdorur më herët për “kilometrin e fundit”, duket se i drejtohen kryesisht një segmenti të caktuar të elektoratit opozitar. Ato synojnë të mbajnë të mobilizuar një bazë militante që vazhdon të besojë tek lidershipi aktual i PD.
Protesta e fundit, ajo e 12 marsit, ishte larg të qenit në kufijtë e revoltës. Për të mos thënë se i ngjante më shumë protestave modeste të Lapajt dhe Qorit sesa një “shpërthimi i madh” opozitar që premtohet prej kohësh.
Në këtë kuptim, protesta e 22 marsit duket të jetë më shumë një test për opozitën Berishiste, mobilizimin e bazës së tij më besnike, në një kohë kur zgjerimi i mbështetjes përtej këtij rrethi mbetet sfida kryesore politike e cila siç edhe po duket nuk ka gjasa të jetësohet.
Në prill, PD pritet të zhvillojë zgjedhjet për kryetarin e saj dhe Sali Berisha është kandidat, ndoshta edhe i vetmi në garë. Në këtë kuadër, protesta e 22 marsit mund të lexohet edhe si një mesazh politik brenda radhëve të selisë blu, një demonstrim force për të treguar se Berisha jo vetëm pritet të rifitojë sërish drejtimin e partisë, por ta bëjë këtë pa rivalë realë përballë. Puna ka nisur për të gjetur 1 apo 2 “kukulla” vërdallë nëpër korridoret e PD.