21% shtrenjtim i rrymës, KESCO: Aplikimet s’janë ende përfundimtare, të hyrat e lejuara maksimale për vitin e ardhshëm të jenë 528.8 milionë euro
Tre operatorët energjetikë në Kosovë kanë kërkuar rritjen e tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026. Rritja e çmimit të rrymës është kërkuar nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), që kanë dërguar këto kërkesa në Zyrën…
Lajme
Tre operatorët energjetikë në Kosovë kanë kërkuar rritjen e tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026.
Rritja e çmimit të rrymës është kërkuar nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), që kanë dërguar këto kërkesa në Zyrën e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE).
Gjatë ditës u raportua se është pikërisht KESCO që ka kërkuar saktësisht rritjen prej 21% të çmimit të energjisë për konsumatorë.
Në lidhje me këtë cështje nga ky operator kanë konfirmuar për lajmi.net se kanë dorëzuar aplikimin tarifor, sic thonë në përputhje me kalendarin rregullator dhe me metodologjinë e miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
“Në këtë fazë, aplikimi nuk përfaqëson një rezultat përfundimtar tarifor, por një kërkesë për njohjen e kostove të arsyetuara dhe të dokumentuara, të domosdoshme për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë për konsumatorët. Si furnizues, kostot tona janë në masë të madhe reflektim i kostove që krijohen përgjatë gjithë sektorit elektroenergjetik, përfshirë prodhimin, transmetimin, shpërndarjen, kushtet e tregut dhe obligimet rregullatorë”,thuhet në përgjgijen e dhënë për lajmin nga Zyra për Informim e KESCO-s.
Po ashtu sipas tyre është e rëndësishme të theksohet se procesi i shqyrtimit tarifor është gjithëpërfshirës dhe përfshin vlerësimin e aplikimeve të dorëzuara nga të gjithë të licencuarit në sektor.
Por nga KESCO nuk kanë konfirmuar shifrën, apo përqindjen që kanë kërkuar në këtë rast.
“Meqenëse këto aplikime janë ende në proces shqyrtimi dhe nuk janë konsoliduar nga rregullatori, është herët të komentohet mbi ndonjë shifër konkrete apo mbi nivelin e mundshëm të ndryshimeve tarifore”, u theksua tutje.
KESCO ka kërkuar që të hyrat e lejuara maksimale për vitin e ardhshëm të jenë 528.8 milionë euro.
Vitin e kaluar, KESCO kishte kërkuar të hyra të lejuara maksimale rreth 448 milionë euro, ndërsa ZRRE-ja kishte aprovuar rreth 436 milionë euro.
Si arsye për rritjen e kërkuar nga KESCO përmenden shpenzimet operative, kostoja e importit të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit gjatë sezonit dimëror, si dhe rritja e pagave të punëtorëve.
Gjithashtu nga KESCO thanë se “bazuar në vlerësimet preliminare dhe në të dhënat aktualisht të disponueshme, kërkesa për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 është paraqitur në vlerë të përgjithshme prej rreth 528.8 milionë euro. Kjo shumë përfshin edhe rreth 49.5 milionë euro që lidhen me tejkalime të kostove të shkaktuara gjatë vitit 2025, të cilat janë rezultat i kushteve të tregut dhe faktorëve jashtë kontrollit të furnizuesit”.
E sipas KESCOs dihet se një vendim përfundimtar tarifor e cdo vlerësim e miratim përfundimtar do të merret nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
“Është e rëndësishme të theksohet se kjo vlerë përfaqëson një kërkesë për njohje të kostove dhe jo një vendim përfundimtar tarifor, ndërsa çdo vlerësim dhe miratim përfundimtar do të bëhet nga Zyra e Rregullatorit për Energji, në kuadër të procesit rregullator dhe konsultimit publik. Dhe vetëm pas vendimit përfundimtar nga Rregullatori për kostot e arsyeshme vazhdon procesi për reflektim tarifor”.
Kurse nga ZRRE u tha se këto kërkesa për shtrenjtim të tarifave do t’iu nënshtrohen shqyrtimit dhe se do të aprovohen vetëm kostot që vlerësohen si të arsyeshme.
ZRRE-ja bën çdo vit shqyrtimin dhe caktimin e tarifave të energjisë elektrike, të cilat shpallen më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak.
E në bazë të tarifave aktuale, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë gjatë një muaji, paguajnë 9.05 centë për kilovatë, kurse ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovatë.
Ndërsa në kuadër të tarifave të lira që shfrytëzohen natën saktësisht nga ora 23:00 deri në ora 08:00 të mëngjesit, konsumatorët për një kilovatë paguajnë 3.88 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovat. E ata që shpenzojnë më shumë paguajnë 7.28 centë për kilovatë./Lajmi.net/