Sfiduesit e burgjeve të Kosovës- Si u arratisën të burgosurit që tani as nuk përmenden nga drejtuesit e institucioneve?

Arratisjet nga burgjet në Kosovë po i shtojnë “njollat” sistemit të drejtësisë, duke e vënë në pikëpyetje efektivitetin e tij në ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Katër të burgosur në burgjet e Kosovës kanë arritur t’i shpëtojnë prangave gjatë vitit 2024, ndërsa një tjetër, i arratisur që nga viti 2023, vazhdon të sfidojë autoritetet me…

Lajme

02/01/2025 11:06

Arratisjet nga burgjet në Kosovë po i shtojnë “njollat” sistemit të drejtësisë, duke e vënë në pikëpyetje efektivitetin e tij në ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Katër të burgosur në burgjet e Kosovës kanë arritur t’i shpëtojnë prangave gjatë vitit 2024, ndërsa një tjetër, i arratisur që nga viti 2023, vazhdon të sfidojë autoritetet me lirinë e tij.

Këto raste, të cilat për shumëkënd përfaqësojnë dështimin e mekanizmave korrektues dhe ligjorë, po e thellojnë mosbesimin e qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë në vend.

Enver Sekiraqa është personi i cili e filloi “trendin” e arratisjeve këtë vit, duke u arratisur kështu nga arresti shtëpiak në të cilin po qëndronte.

I akuzuari Enver Sekiraqa, më 3 maj 2024, për herë të tretë pas kthimit të rastit në rigjykim u dënua me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

17 maj të vitit 2024, Policia e Kosovës pati konfirmuar se Enver Sekiraqa, është arratisur pas ndryshimit të masës së sigurisë, pasi Gjykata e Apelit dy ditë më parë kishte vendosur që të njëjtin ta kthejë në paraburgim.

Policia pati njoftuar se tashmë janë ndërmarrë të gjitha masat për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare ndaj Enver Sekiraqës.

“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë. Meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njëjti nuk është hasur në shtëpi. Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kanë kërkuar të njëjtin, por nuk e kanë hasur në shtëpi”, thuhej në njoftimin për media të Policisë së Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes, shkruan lajmi.net.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale, janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.

Më pak se një muaj pas Enver Sekiraqës, “duarve” të gardianëve iu iku serbi Marko Roshiq më 9 qershor 2024 derisa pritej që të vihej prapa grilave.

Marko Roshiq, është njëri nga katër të dënuarit me 8 vjet burgim për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Që nga dita kur Gjykata mori vendim për dënimin e tij, Policia e Kosovës është në kërkim të Roshiq.

Ndryshe, në Gjykatën Themelore në Prishtinë u shpall aktgjykimi dënues ndaj katër të akuzuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviq, i cili ishte lideri i Iniciativës Qytetare serbe ‘Liri, demokraci, drejtësi’. Me tetë vite burgim u dënua Marko Roshiq, për pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal lidhur me vrasje të rëndë si dhe me 10 mijë euro gjobë.

Pavarësisht kësaj, Roshiq gjashtë muaj pas arratisjes vazhdon të jetë në liri dhe larg qëndrimit të tij në burg për veprën për të cilën është dënuar tashmë.

I arratisuri nga burgu i Kosovës që bëri bujë dhe u përmend edhe në mediat e huaja e sidomos ato serbe ishte Faton Hajrizi, i cili theu rekordin dhe u arratis plotë 9 herë nga burgjet e Kosovës përfshirë edhe kampin Bondsteel.

Menjëherë pas luftës më 29 shkurt të vitit 2000, Faton Hajrizi nga Skenderaj, 15 vjeçar, atë kohë vrau një ushtar rus të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Siç përshkruhet në një vendim të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, vrasja kishte ndodhur në një nga sheshet e Skenderajt, pasi Hajrizi fillimisht ia kishte marrë armën ushtarit dhe më pas e kishte plagosur. Ushtari me inicialet I.K më pas vdiq më 2 mars të atij viti nga plagët e marra.

Hajrizi ishte paraburgosur në qendra të ndryshme paraburgimi që nga fillimi i vitit 2000, ndërsa me një aktvendim të marsit të vitit 2001, atij i ishte shqiptuar një “masë edukuese” prej një deri në pesë vjet, që do të vendosej me saktësi më vonë.

Me këtë masë, ai do të dërgohej me një “Qendër Edukimi” dhe “do të ishte nën mbikëqyrje të një ekipi profesional”.

Nuk dihet se ku saktësisht ishte dërguar Hajrizi pas këtij vendimi.

Por, në disa intervista që ai i kishte dhënë muajt e fundit për mediat e Kosovës, ai pretendon se ishte dërguar në vazhdimësi në Qendra Korrektuese së bashku me të rritur dhe jo me të mitur, kategori së cilës i takonte në atë kohë.

Përveç për vrasjen e ushtarit, në aktvendimin e vitit 2001, Hajrizi u dënua edhe për një rast të tentim-vrasjes, tri raste të vjedhjeve kryesisht të pjesëve të veturave, dhe dy raste të keqpërdorimit të veturave (shfrytëzim pa leje të tyre).

Të gjitha këto vepra, sipas gjykatës, u kryen kryesisht nga fillimi i vitit 2000 deri në fillimin e vitit 2001, në Skenderaj, Drenas, Prishtinë dhe Mitrovicë e Jugut.

Vendimi i dytë gjyqësor për Faton Hajrizin u mor sërish nga Gjykata e atëhershme e Qarkut në Mitrovicë, më 24 janar të vitit 2008.

Kësaj here ai u dënua për dy vepra të grabitjes së armatosur, që sipas gjykatës, i bëri në bashkëpunim me dikë tjetër me iniciale B.B, në vitin 2006, në Skenderaj.

Në këto grabitje, ata morën para, telefona, cigare e mbushje telefoni.

Hajrizi u dënua, po ashtu, për armëmbajtje pa leje. Atij iu shqiptua dënimi me gjashtë vjet burgim dhe iu konfiskuan armë.

Në kohën e dënimit ai kishte qenë duke qëndruar në paraburgim nga maji i vitit 2006, raporton lajmi.net.

Sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hajrizi në vitin 2019 u dënua me një vit burg për vrasje në tentativë.

Historinë e arratisjeve ai e filloi në vitin 2000 sapo ishte arrestuar për ta përfunduar kështu pas 9 arratisjesh në vitin 2024 kur përfundoi edhe jeta e tij.

Arratisjen e parë e kishte kryer nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicën Veriore rreth orës 5 të mëngjesit, duke dalë nga dritarja e tualetit ndërsa në arratisje të tjera, Hajrizi pretendonte se kishte prerë edhe grilat me sharra të kontrabanduara nga jashtë, si dhe kishte përdorur ventilatorin si dalje.

Vetë Gjykata e Qarkut në Mitrovicën e Veriut në aktvendimin për dënimin e tij më 2001, përmend se 15-vjeçari në atë kohë ishte arratisur një herë nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë në mars të vitit 2000 dhe një herë tjetër në nëntor të atij viti, në Qendrën e Paraburgimit në Skenderaj.

Ndonëse nuk e saktëson numrin, në vendim po ashtu thuhet se “i paraburgosuri bëri përpjekje dhe ia doli të shpëtonte disa herë nga burgu”.

Në vitin 2007 së bashku me gjashtë persona të tjerë, Faton Hajrizi ishte arratisur edhe nga Burgu i Dubravës, në Istog.

Sipas raportimeve të mediave në atë kohë, “pasi kishin kaluar rrethojat e burgut, shtatë të burgosurit janë pritur nga persona të tjerë, të cilët kanë filluar të shtënat kundër rojave të burgut”.

Pesë vite më pas, në vitin 2012 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Faton Hajrizi u arratis gjatë shëtitjes ditore.

Sipas raportimeve, ai kishte kapërcyer murin e oborrit, duke “u kapur për një ulluk të ujit të shirave dhe përmes telave gjemborë disa rrathësh, ka kërcyer nga muri i lartë disa metra”.

“Tri krisma nga pistoleta ‘Glock 19’ e gardianit kanë alarmuar situatën dhe shumë shpejt gardianë e policë janë vënë në ndjekje të të arratisurit”, kishte deklaruar atëherë Hazir Berisha, zëdhënës i policisë rajonale në Prizren.

Viti 2024 doli të jetë “vendimtar” për historinë e Faton Hajrizit, kur ai veçse kishte mbajtur 17 vjet e 5 muaj të dënimit të tij me burgim, ndërsa i mbeteshin edhe 7 vjet e 6 muaj burgim, shkruan lajmi.net.

Pasi që kishte mbajtur shumicën e dënimit, Faton Hajrizi u dërgua në burgun e hapur të Smrekonicës ku kishte fituar të drejtën për të kaluar vikendet në shtëpi.

Menjëherë pasi ishte kthyer nga vikendi, më 6 korrik në ora 1 pas mesnatës ai ishte larguar nga burgu për të filluar një “histori” tjetër të tij.

Derisa po kërkohej anë e kënd nga Policia e Kosovës, askush nuk dinte asgjë për vendndodhjen e tij ndonëse ai ishte shumë aktiv në rrjetin social Tik Tok ku hynte live dhe komentonte deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili thoshte se “kapja e tij është çështje orësh”.

Derisa kërkimi për të ishte intensiv nga organet e rendit, Hajrizi po largohej edhe nga Kosova dhe kishte marrë rrugën për në Serbi e cila doli të ishte fatkeqësi për të.

Gjatë arratisjes së tij, Faton Hajrizi u “ndesh” me një polic serb në Lloznicë të cilin dyshohet ta ketë vrarë ndërsa një tjetër polic ta ketë plagosur. Faton Hajrizi kishte arritur të ikte ndërsa në vendngjarje u gjetën dokumente të vëllait të tij, Artan Hajrizit por ai dëshmoi se ishte në Gjermani ndërsa tha se dokumentet ia kishte vjedhur vëllai i tij i cili kishte qenë në banesën e tij.

Më 19 korrik të vitit 2024, mediat serbe raportuan se Policia serbe kishte vrarë të dyshuarin për vrasjen e policit serb duke mos treguar identitetin e tij por që pas verifikimit të shenjave të gishtave u vërtetua që personi i vrarë ishte Faton Hajrizi.

Pas shumë vështirësive, trupi i Faton Hajrizit u kthye në fshatin e tij të lindjes, Klinë e Ulët e Komunës së Skenderajt ku edhe u varros me një numër të madh të të pranishmëve.

Përveç të lartpërmendurve, nga burgu në Kosovë gjatë këtij viti u arratis edhe Ujkan Metaj më 12 korrik.

Ai nuk arriti të qëndroj gjatë në liri pasi që më 24 korrik u kap nga Policia në Shushicë të Ulët në Istog.

Metaj ishte i dënuar me 11 vjet burgim pas përfshirjes në rastin e vjedhjes së një banke në Istog, ku mbeti i vrarë polici Izet Demaj.

Në arrati vazhdon të jetë tash e një vit e gjysmë, Shani Tafolli i njohur ndryshe si “Shani tmerri”.

Shani “tmerri” ka arritur të arratiset nga burgu në gushtin e vitit të kaluar ndonëse kishte edhe shumë kohë për të kryer dënimin.

Ai akuzohet për disa vepra të ndryshme penale dhe ndonësë është në “kërkim” të Policisë, ai lirshëm paraqitet në rrjetet sociale si “TikTok”, madje shpesh herë edhe duke kërcënuar.

Ai kishte kërcënuar publikisht me vrasje të një zyrtari policor në Ferizaj.

Tafolli ishte parë duke sharë, kërcënuar e duke terrorizuar me ekspozim të armës në këtë rrjet social.

Viti që po lëmë pas del të mos jetë i suksesshëm për Shërbimin Korrektues të Kosovës, Prokurorinë e institucionet e tjera të drejtësisë, kjo pasi 4 persona për të cilët po kujdeseshin ata nuk arritën t’i “kontrollonin”.

Arratisja nga burgu e të dënuarve për vepra penale të rënda siç janë vrasjet e grabitjet zbehin sigurinë në vend si dhe mosbesimin e qytetarëve të Kosovës në institucione të drejtësisë. /Lajmi.net/