Tre vjet nga rënia e Afrim Bunjakut, dy djemtë e tij përkrahin çlirimtarët në Hagë – “Liria ka emër”

Në trevjetorin e rënies së Afrim Bunjakut, policit të vrarë në sulmin e Banjskës, dy djemtë e tij kanë përcjellë një mesazh mbështetjeje për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë. Në përkujtimin e babait të tyre, dy djemtë e Bunjakut janë shfaqur me bluza me mbishkrimin “Liria…

Lajme

24/09/2026 10:37

Në trevjetorin e rënies së Afrim Bunjakut, policit të vrarë në sulmin e Banjskës, dy djemtë e tij kanë përcjellë një mesazh mbështetjeje për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Në përkujtimin e babait të tyre, dy djemtë e Bunjakut janë shfaqur me bluza me mbishkrimin “Liria ka emër”, të shoqëruar me emblemën e UÇK-së.

Mesazhi i tyre vjen në një periudhë kur në Kosovë dhe në diasporë po zhvillohen protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pas aktgjykimit të 16 shtatorit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Afrim Bunjaku u vra më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, derisa ishte duke kryer detyrën e tij si pjesëtar i Policisë së Kosovës, në përballjen me grupin e armatosur që sulmoi policinë.

Tre vjet pas rënies së tij, familjarë dhe të afërm e kanë përkujtuar Bunjakun, ndërsa veshja e dy djemve të tij ka tërhequr vëmendjen për mesazhin “Liria ka emër”.

Ky mesazh është përdorur gjerësisht në tubimet e fundit në mbështetje të ish-pjesëtarëve dhe ish-krerëve të UÇK-së, pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Më 16 shtator, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë shpalli fajtorë katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. /Lajmi.net/