Mijëra qytetarë dyshohet të jenë mashtruar me faturat e energjisë përmes njehsorëve, Prokuroria po merret nga afër me hetimet

Dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë në Kosovë kanë nxitur debat të gjerë publik dhe institucional ditëve të fundit, pas pretendimeve se një pjesë e madhe e tyre nuk matin saktë kohën, duke ndikuar potencialisht në faturimin e energjisë elektrike për qytetarët. Çështja ka marrë hov sidomos pasi, që nga fillimi i muajit prill, disa…

Lajme

07/04/2026 14:01

Dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë në Kosovë kanë nxitur debat të gjerë publik dhe institucional ditëve të fundit, pas pretendimeve se një pjesë e madhe e tyre nuk matin saktë kohën, duke ndikuar potencialisht në faturimin e energjisë elektrike për qytetarët.

Çështja ka marrë hov sidomos pasi, që nga fillimi i muajit prill, disa nga këta njehsorë kanë nisur të largohen nga përdorimi në terren, duke shtuar dyshimet për ruajtjen e provave dhe transparencën e procesit e duke e bërë situatën edhe më bindëse se në fakt prej vitesh qytetarët po vidheshin përmes kësaj metode.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për lajmi.net se është duke ndërmarrë veprime hetimore.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni, pas pyetjeve të adresuara nga mediumi lidhur me ndalimin eventual të largimit të njehsorëve dhe intervistimin e personave të përfshirë në këtë çështje.

Debati për këtë temë u intensifikua më 1 prill, kur një komision i themeluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit doli në terren dhe nisi tërheqjen e disa njehsorëve nga funksioni. Ky veprim erdhi pas publikimit të gjetjeve nga Lidhja Demokratike e Kosovës ku u raportua për mospërputhje mes orës në njehsorët elektrikë dhe orës zyrtare, bazuar në rreth 2 mijë mostra të analizuara.

Sipas standardeve të përcaktuara, pasaktësia e lejuar për këto pajisje është +/- 0.5 sekonda në ditë, varësisht nga faktorë si temperatura dhe vjetërsia e njehsorit. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm qytetarësh kanë raportuar devijime shumë më të mëdha, në disa raste deri në disa orë, çka ka ngritur dyshime serioze për ndikim të drejtpërdrejtë në faturim, shkruan lajmi.net.

Rëndësia e saktësisë së kohës lidhet drejtpërdrejt me mënyrën e tarifimit të energjisë elektrike në Kosovë. Konsumi ndahet në tarifë të lartë dhe tarifë të ulët, ku kjo e fundit aplikohet gjatë natës (22:00–07:00 në dimër dhe 23:00–08:00 në verë). Për këtë arsye, çdo devijim në kohë mund të bëjë që energjia e konsumuar në orët më të lira të faturohet si konsum në orët më të shtrenjta.

Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kWh paguajnë 9.05 centë për kilovat gjatë tarifës së lartë dhe 3.88 centë gjatë tarifës së ulët. Në rast të tejkalimit të këtij pragu, çmimi rritet në 15.43 centë për tarifën e lartë dhe 7.28 centë për tarifën e ulët, duke e bërë edhe më të ndjeshme çdo pasaktësi në matje.

Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka akuzuar KEDSin se qytetarët janë dëmtuar nga një “skemë e madhe mashtrimi”, duke pretenduar se ata kanë paguar më shtrenjtë për energjinë që besonin se e kishin shpenzuar në orët me tarifë të ulët.

Në anën tjetër, KEDS ka mohuar çdo pretendim për manipulim, duke e cilësuar situatën si çështje teknike. Sipas kompanisë, edhe në rastet kur kalimi nga një tarifë në tjetrën mund të ketë ndodhur me vonesë, ai ka përfunduar po ashtu me vonesë, duke mos krijuar humbje për konsumatorët. KEDS ka shtuar se qytetarët do të kompensohen deri në centin e fundit nëse identifikohen pasaktësi jashtë normave të lejuara.

Po ashtu, ZRRE ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa në rast të shkeljeve, duke rikujtuar se përgjegjës për kalibrimin dhe verifikimin e njehsorëve është Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, që vepron në kuadër të MINTI-t.

Një tjetër element që ka shtuar dyshimet është procesi i ndërrimit të njehsorëve. KEDS ka sqaruar se kjo është një praktikë e zakonshme dhe e planifikuar, ku prioritet u jepet pajisjeve më të vjetra. Sipas tyre, rreth 70% e njehsorëve janë digjitalë, 20% inteligjentë dhe vetëm 10% mekanikë, ndërsa gjatë vitit të kaluar janë instaluar mbi 130 mijë njehsorë të rinj. Megjithatë, ekspertë kanë ngritur shqetësime se koha e këtij procesi mund të ndikojë në integritetin e hetimeve.

Më 3 prill, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për të mbledhur informacione lidhur me njehsorët, duke sinjalizuar se hetimet tashmë janë në zhvillim e sipër.

Në këtë kontekst, Sekretari organizativ i LDK-së, Visar Azemi, ka bërë të ditur se sot i ka dorëzuar Drejtorisë së Krimeve Ekonomike dëshmitë që ka mbledhur nga qytetarët për njehsorët elektrikë. Ai ka theksuar se ndodhet në proces të dëshmisë dhe po paraqet deklaratën e tij si dëshmitar, duke shprehur besim se institucionet e drejtësisë do ta trajtojnë rastin siç duhet.

Azemi ka kritikuar KEDS-in dhe ministrinë përkatëse për minimizimin e rastit dhe manipulimin me qytetarët.

“Unë jam ftuar sot nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike për t’i paraqit dëshmitë e mia dhe të qytetarëve. Jam në proces të dëshmisë dhe po e jap deklaratën time si dëshmitar dhe duke besuar në Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Kosovës, Gjykatën e Kosovës, shpresoj që kjo të merr zgjidhjen e merituar… Ky skandal po mundohet me u minimizu nga ana e KED-sit dhe ministrisë ku akoma po manipulojnë me qytetarët”, ka deklaruar Azemi.

Tutje, ai ka potencuar se ky është një nga rastet kryesore në të cilat është duke u angazhuar, duke kërkuar që të mos ketë ndërhyrje në proces dhe që provat e qytetarëve të ruhen.

“Ky është skandali kryesor në të cilin unë po punoj për të bërë një zgjidhje. Prandaj në Prokurori po e jap këtë dëshmi, në Polici po e jap këtë dëshmi dhe po kërkoj që mos të lejohen intervenimet që të hiqen provat nga qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Azemi.

Në fund, Azemi ka shprehur shpresën që procesi të përfundojë me sukses dhe qytetarët të kompensohen për dëmet e mundshme, duke shtuar se do të vazhdojë dëshminë e tij.

“Uroj që ky proces të shkoj mirë dhe qytetarët të kompensohen në fund… Unë po kthehem prapë brenda për të vazhduar dëshminë time”, tha Azemi.

Ndërkohë, LDK pretendon se nga 884 njehsorë të verifikuar, rreth 87% e tyre faturojnë qytetarët më shtrenjtë, madje edhe kur aplikohet tarifa më e lirë, çështje kjo që pritet të jetë pjesë e hetimeve të mëtejshme. /Lajmi.net/