Situata me përmbytjet në Kosovë po stabilizohet – Eksperti i Emregjencave thotë se zonat pranë lumenjve mbeten të rrezikuara

Situata me përmbytjet në Kosovë duket se po stabilizohet pas disa ditësh reshjesh intensive, por ekspertët paralajmërojnë se disa zona mbeten të ndjeshme. Njohësi i emergjencave, Tahir Ahmeti, ka dhënë detaje për Lajmi.net lidhur me situatën aktuale dhe masat që po merren. Sa i përket gjendjes së përgjithshme, Ahmeti tha se situata me vërshimet sot…

Lajme

13/01/2026 13:45

Situata me përmbytjet në Kosovë duket se po stabilizohet pas disa ditësh reshjesh intensive, por ekspertët paralajmërojnë se disa zona mbeten të ndjeshme.

Njohësi i emergjencave, Tahir Ahmeti, ka dhënë detaje për Lajmi.net lidhur me situatën aktuale dhe masat që po merren.

Sa i përket gjendjes së përgjithshme, Ahmeti tha se situata me vërshimet sot duket më e mirë krahasuar me ditët e kaluara, por tha se zonat e ulëta dhe ato pranë lumenjve mbeten më të ndjeshme.

“Situata me vërshimet sot duket më e mirë krahasuar me ditët e kaluara. Në shumicën e zonave vërehet rënie e niveleve të ujërave dhe për momentin nuk ka indikacione për rrezik të menjëhershëm. Megjithatë, zonat e ulëta dhe ato pranë lumenjve mbeten më të ndjeshme dhe kërkojnë vëmendje të vazhdueshme”, tha ai.

Ai paralajmëroi edhe qytetarët që jetojnë pranë lumenjve, duke bërë thirrje për kujdes të shtuar pasi gjendja mund të përkeqësohet.

“Edhe pse situata është stabilizuar, qytetarët që jetojnë pranë lumenjve dhe në zonat e ulëta duhet të vazhdojnë të tregojnë kujdes. Këshillohet përcjellja e njoftimeve zyrtare dhe raportimi i çdo ndryshimi të papritur në nivelin e ujit. Kujdesi mbetet i domosdoshëm edhe kur situata duket e qetë”, u shpreh Ahmeti për lajmi.net

Në lidhje me monitorimin e situatës, Ahmeti theksoi se ekipet emergjente janë në terren dhe janë në regjim gatishmërie.

“Ekipet emergjente vazhdojnë monitorimin e situatës në terren dhe janë në regjim gatishmërie. Aktualisht nuk ka nevojë për angazhim të shtuar, por strukturat përgjegjëse janë të përgatitura për të reaguar në rast të përkeqësimit të kushteve”, tregoi tutje eksperti i emergjencave për lajmi.net

Ai nënvizoi gjithashtu bashkëpunimin me autoritetet lokale ku tha se përgatitja dhe planifikimi mbeten kyçe për menaxhim më efikas të situatave të tilla.

“Bashkëpunimi me komunat dhe autoritetet lokale është prezent dhe po vazhdon, sidomos në monitorim dhe vlerësim të situatës. Megjithatë, këto raste tregojnë se koordinimi duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i strukturuar, jo vetëm në momente emergjente. Përgatitja dhe planifikimi mbeten kyçe për menaxhim më efikas të situatave të tilla”, u shpreh ai.

Ai për fund tha se duke u bazuar në parashikimet aktualt meterologjike nuk pirtet të ketë reshje, po gjithesi se duhet parashikuar situata në rast të vërshimeve të reja.

“Bazuar në parashikimet aktuale meteorologjike, nuk priten reshje ditëve në vijim dhe, për rrjedhojë, nuk parashikohet rrezik për vërshime të reja. Megjithatë, monitorimi vazhdon, pasi situatat hidrologjike mund të ndryshojnë”, theksoi ai.

Kujtojmë se gjatë gjithë kohës qytetarët mund të informohen në Agjencia e Menaxhimit Emergjent në rast të reshjeve të dendura dhe zonave që janë më të prekura nga vërshimet./Lajmi.net/