Shtëpia e parë me 0% interes, ja kush mund të përfitojë nga plani i ri në Shqipëri
Në Shqipëri, buxheti i vitit 2027 parashikon masa të reja mbështetëse për çiftet e reja, duke synuar lehtësimin e financimit për banesën e parë, përmes kredive me interesa të subvencionuara dhe bonusit të qirasë për ata që nuk kanë ende mundësi të blejnë një shtëpi. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bëri të ditur se përmes…
Lajme
Në Shqipëri, buxheti i vitit 2027 parashikon masa të reja mbështetëse për çiftet e reja, duke synuar lehtësimin e financimit për banesën e parë, përmes kredive me interesa të subvencionuara dhe bonusit të qirasë për ata që nuk kanë ende mundësi të blejnë një shtëpi.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bëri të ditur se përmes paketës së re të strehimit social do të vihen në dispozicion 4 mijë kredi të lehtësuara për çiftet e reja që synojnë të blejnë banesën e tyre të parë.
Sipas skemës së parashikuar, 2 mijë kredi do të ofrohen me interes 0% për blerjen e apartamenteve me vlerë deri në 6 milionë lekë (rreth 66,145 euro), ndërsa 2 mijë kredi të tjera do të kenë normë interesi 3%, për banesa me vlerë mbi këtë kufi.
Kostot e interesit të kredive do të mbulohen nga qeveria, sipas kushteve të skemës, duke synuar uljen e barrës financiare për çiftet e reja dhe lehtësimin e blerjes së banesës së parë.
Gjithashtu, qeveria ka parashikuar bonus qiraje për çiftet e reja që nuk kanë ende mundësi të blejnë një banesë, për t’i ndihmuar të përballojnë më lehtë shpenzimet e strehimit.
Synimi i kësaj pakete është që më shumë të rinj e të reja të kenë mundësi të krijojnë familjen e tyre, të sigurojnë strehim dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.