SHBA e Mbretëria e Bashkuar me mesazhe të fuqishme për Kosovën e Serbinë në KS të OKB-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit kanë kërkuar shuarjen e UNMIK-ut. Përfaqësuesi i SHBA-së tha se pas një çerek shekulli UNMIK-u ka kaluar mandatin e  tij fillestar, duke i bërë thirrje kështu që të rishikohet mandati i tyre në Kosovë dhe të fillojë planifikimin e perëndimit të tij. Ndërkohë, përfaqësuesi amerikan aty…

Lajme

30/10/2024 18:59

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit kanë kërkuar shuarjen e UNMIK-ut.

Përfaqësuesi i SHBA-së tha se pas një çerek shekulli UNMIK-u ka kaluar mandatin e  tij fillestar, duke i bërë thirrje kështu që të rishikohet mandati i tyre në Kosovë dhe të fillojë planifikimin e perëndimit të tij.

Ndërkohë, përfaqësuesi amerikan aty ka shprehur shqetësimin se prej më shumë se një viti nga sulmi paramilitar në veri të Kosovës, Serbia nuk ka bërë asnjë lloj progresi në sigurimin e llogaridhënies së kryesve duke përfshirë edhe Milan Radoiçiqin.

“Ne inkurajomë për llogaridhënie të plotë në sundim të ligjit. Mbetemi të shqetësuar për sa i përket veprimeve të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës që nuk janë në përputhje me zotimin e Kosovës. Këto cenojnë jetesën e komuniteteve dhe cenojnë edhe rrugëtimin drejt normalizimit të marrëdhënieve”, tha ai.

Porosi për Kosovën në këtë mbledhje ka dhënë edhe përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar, i cili aty rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme karshi Kosovës, derisa tha se për shumë vjet mungesa marrëdhënieve normale mes Kosovës dhe Serbisë ka ndikuar negativisht në jetët e individëve në të dyja shtete dhe ka ndikuar në stabilitetin rajonal.

“Në javët e fundit kemi parë hapa pozitiv drejt një bashkëpunimi më të madh e kjo përfshinë edhe heqjen e kufizimeve ndaj importeve të Serbisë në Kosovë dhe marrëveshjen që siguron përfaqësimin e Kosovës në CEFTA. Megjithatë jemi të shqetësuar që progresi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ka ngecur. I bëhem thirrje të dyja palëve që të ritheksojnë përkushtimin e tyre  ndaj këtij dialogu dhe I bëjmë jehonë thirrjes së sekretarit të përgjithshëm për pjesëmarrje më të madhe të grave në këtë proces. Është me rëndësi që të dyja palët të demonstrojnë vullnetin politik, por edhe guximin për të implementuar marrëveshjet ekzistuese të dialogut, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me Shumicë Serbe. Njëkohësisht është me rëndësi që të gjitha palët të shmangin veprimet që mund të rrezikojnë progresin e tillë. Inkurajojmë Kosovën që të marrin parasysh me kujdes ndikimin e vendimeve të saj mbi të gjithë qytetarët duke përfshirë edhe ata të komuniteteve jo shumicë dhe të punojë me partnerët e saj. E inkurajojmë Serbinë që të luaj rolin e vet në përpjekje për sigurim të drejtësisë e llogaridhënës për kryesit e sulmit tronditës të vitit të kaluar në Banjskë dhe të luaj rol konstruktiv në uljen e tensioneve dhe në promovim të marrëdhënieve pozitive në rajon”, tha ai.