Rukiqi: Qytetarët në Kosovë paguajnë katërfish më shtrenjtë naftën krahasuar me Gjermaninë
Berat Rukiqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me krahasimet e shpeshta që bëhen mes çmimeve të derivateve në Kosovë dhe në Gjermani, duke theksuar se dallimi real qëndron tek fuqia blerëse. Përmes një postimi në Facebook, Rukiqi ka ironizuar arsyetimet që shpesh jepen për çmimet e larta në vend. “Pse po ankoheni?…
Lajme
Berat Rukiqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me krahasimet e shpeshta që bëhen mes çmimeve të derivateve në Kosovë dhe në Gjermani, duke theksuar se dallimi real qëndron tek fuqia blerëse.
Përmes një postimi në Facebook, Rukiqi ka ironizuar arsyetimet që shpesh jepen për çmimet e larta në vend.
“Pse po ankoheni? Në Gjermani nafta është mbi 2 euro”, ka shkruar ai, për të sqaruar më pas arsyen e vërtetë të pakënaqësisë së qytetarëve.
Sipas tij, në raport me të ardhurat, qytetarët e Kosovës paguajnë shumë më shtrenjtë për një litër naftë sesa qytetarët në Gjermani.
“Në krahasim me fuqinë blerëse që e kemi, ne paguajmë 4 herë më shtrenjtë një litër naftë se një gjerman”, thekson Rukiqi.
Ai ka paraqitur edhe shifra konkrete për të ilustruar këtë dallim. Sipas tij, në Gjermani paga mesatare neto është rreth 2,900 euro në muaj, ndërsa një litër naftë që kushton rreth 2.11 euro përbën vetëm 0.07 për qind të të ardhurave mujore.
Ndërkohë, në Kosovë paga mesatare neto është rreth 639 euro, ndërsa një litër naftë me çmim rreth 1.82 euro përbën 0.28 për qind të pagës mujore.
“Një qytetar në Kosovë paguan 4 herë më shumë për naftën, jo sepse çmimi nominal është më i lartë, por sepse të ardhurat janë 4 herë më të ulëta”, ka shtuar ai.