“Rojtar s’të kishin lënë te dera”, Bajrami ia kthen Zemajt pas pyetjes për shkollimin e tij

Debati për përbërjen e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka eskaluar në përplasje verbale mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Gjatë diskutimit, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka vënë në pikëpyetje shkollimin dhe përgatitjen profesionale të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami. “Cili është shkollimi i tij, cila është…

Lajme

26/11/2026 11:44

Debati për përbërjen e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka eskaluar në përplasje verbale mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë diskutimit, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka vënë në pikëpyetje shkollimin dhe përgatitjen profesionale të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami.

“Cili është shkollimi i tij, cila është përgatitja profesionale, cili është edukimi i tij në kuptimin institucional derisa ka ardhur deputet?”, ka deklaruar Zemaj.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Bajrami, i cili ka kundërshtuar komentet e deputetit të LDK-së, duke thënë se ato janë ofenduese.

Ai ka përmendur edhe zgjedhjen e tij deputet në moshën 27-vjeçare, ndërsa nuk ka kursyer as kritikat ndaj Zemajt.

“Nuk ke të drejtë të ofendosh. Sa i përket punës sime në institucione, unë jam zgjedhur deputet kur i kam pasur 27 vjet. Edhe në kohën tuaj, po të kishe pasur kartelë të Vetëvendosjes, rojtar s’të kishin lënë te dera”, është shprehur Bajrami.

Pas shkëmbimit të këtyre deklaratave ka ndërhyrë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ia ka ndërprerë fjalën deputetit Bajrami, duke shprehur pakënaqësi për zhvendosjen e debatit në çështje personale.

“Çuditem si hyni në debate të panevojshme, sinqerisht, s’kam koment”, ka thënë Haxhiu.

Përplasja ndodhi gjatë diskutimeve në Kuvend për përbërjen e Bordit të RTK-së. /Lajmi.net/