KEK-u reagon ndaj raportimeve për zjarrin në nënstacionin “Kosova B”: Nuk mbajmë përgjegjësi për incidentet e operatorëve të tjerë
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj raportimeve mediatike për zjarrin që shpërtheu mëngjesin e së enjtes në autotransformatorin AT2 të nënstacionit “Kosova B”, duke theksuar se incidenti ka ndodhur në infrastrukturën që menaxhohet nga KOSTT-i dhe jo nga KEK-u. Në reagimin e saj, KEK ka shprehur shqetësimin për përdorimin e emrit dhe pamjeve…
Lajme
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj raportimeve mediatike për zjarrin që shpërtheu mëngjesin e së enjtes në autotransformatorin AT2 të nënstacionit “Kosova B”, duke theksuar se incidenti ka ndodhur në infrastrukturën që menaxhohet nga KOSTT-i dhe jo nga KEK-u.
Në reagimin e saj, KEK ka shprehur shqetësimin për përdorimin e emrit dhe pamjeve të Korporatës në raportimet për incidente të ndryshme në sektorin energjetik, duke thënë se kjo krijon përshtypjen e gabuar se ajo mban përgjegjësi për çdo problem në këtë sektor.
“Është e papranueshme që KEK-u të shndërrohet në adresë të përgjegjësisë për çdo defekt, ndërprerje apo incident në sektorin energjetik, edhe në rastet kur ngjarje të tilla nuk kanë asnjë lidhje me asetet, veprimtarinë apo kompetencat e tij institucionale”, thuhet në reagim.
Korporata ka rikujtuar se përgjegjësitë në sektorin energjetik janë të ndara mes operatorëve, ku KEK-u merret me prodhimin e energjisë elektrike dhe termike, KOSTT-i me transmetimin, KEDS-i me shpërndarjen, ndërsa KESCO me furnizimin e konsumatorëve.
KEK ka kritikuar veçanërisht përdorimin e pamjeve të objekteve dhe aseteve të saj për të ilustruar zjarrin në nënstacionin “Kosova B”, duke kërkuar nga mediat që të verifikojnë operatorin përgjegjës dhe të përdorin pamje që pasqyrojnë saktë vendin e ngjarjes.
“KEK-u respekton lirinë dhe pavarësinë editoriale të mediave, por thekson se informimi i drejtë kërkon verifikim të fakteve, saktësi dhe përgjegjësi profesionale”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, Korporata ka theksuar se nuk i shmanget përgjegjësisë për asetet dhe veprimtarinë që menaxhon, por nuk mund të mbajë përgjegjësi për defektet apo incidentet që u përkasin operatorëve të tjerë të sektorit energjetik. /Lajmi.net/