Policia e Gjilanit jep detaje: Kryetarja e Ranillugut në fokus të hetimeve zgjedhore

Kryetarja e Komunës së Ranillugut dhe anëtare e kryesisë së forumit të gruas nga Lista Serbe, Tanja Antic, është intervistuar sot nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka ushtruar ndikim dhe presion ndaj votuesve të partive të tjera gjatë zgjedhjeve parlamentare. Sipas Policisë, informacioni mbi këtë rast ka mbërritur përmes rrugëve operative, ku dyshohet…

Lajme

28/12/2025 15:44

Kryetarja e Komunës së Ranillugut dhe anëtare e kryesisë së forumit të gruas nga Lista Serbe, Tanja Antic, është intervistuar sot nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka ushtruar ndikim dhe presion ndaj votuesve të partive të tjera gjatë zgjedhjeve parlamentare.

Sipas Policisë, informacioni mbi këtë rast ka mbërritur përmes rrugëve operative, ku dyshohet se Antic ka përdorur anëtarë të Komisionit Komunal zgjedhor të Listës Serbe për të ndikuar votuesit që nuk i përkasin subjektit të saj. Po ashtu, disa qytetarë dyshohet se janë kërcënuar me ndërprerje të benefiteve që ata marrin nga Serbia, në rast të mos votimit sipas udhëzimeve.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, ka bërë të ditur për lajmi.net, se Antic është shoqëruar në ambientet e hetimeve rajonale dhe është intervistuar në prezencën e avokatit për verifikimin e informacionit dhe sqarimin e rrethanave. Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ajo është liruar.

“Rasti ‘Cenim i fshehtësisë së votimit’ do të vazhdojë të hetohet nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan, në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore,” ka thënë Ramadani, duke konfirmuar angazhimin e plotë të Policisë për të garantuar një proces zgjedhor të lirë dhe demokratik. /Lajmi.net/