Pas vrasjeve të fundit, Rama mobilizohet: Çdo armë ilegale e konfiskuar është një jetë e shpëtuar
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me situatën e sigurisë pas ngjarjeve të fundit që kanë tronditur vendin. Në një postim në Facebook, ai ka njoftuar se ka zhvilluar një takim urgjent me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë për Siguri në Komunën e Prishtinës, për të koordinuar veprimet e mëtejshme në luftën kundër…

Lajme
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me situatën e sigurisë pas ngjarjeve të fundit që kanë tronditur vendin.
Në një postim në Facebook, ai ka njoftuar se ka zhvilluar një takim urgjent me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë për Siguri në Komunën e Prishtinës, për të koordinuar veprimet e mëtejshme në luftën kundër armëve ilegale, raporton lajmi.net
Rama ka shprehur mbështetje të plotë për institucionet e rendit, duke theksuar rëndësinë e parandalimit, krahas veprimeve pas tragjedive.
Postimi i plotë i tij:
Situata e fundit është shqetësuese për secilin prej nesh. Prandaj, sot, së bashku me Drejtorin për Siguri në Komunën e Prishtinës, me prioritet kemi mbajtur takimin kordinues me Policinë.
Si Kryetar i Kryeqytetit, mbështes pa rezerva veprimet e Policisë së Kosovës dhe të të gjitha institucioneve të rendit për identifikimin, sekuestrimin dhe shkatërrimin e armëve ilegale. Po aq e rëndësishme sa veprimi pas ngjarjeve, është parandalimi para se të ndodhin tragjeditë.
Në këtë drejtim, Strategjia për Armët e Lehta dhe të Vogla 2024–2028 është një instrument thelbësor. E ndërtuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe standardet e Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, ajo synon:
* Parandalimin e përhapjes së armëve ilegale përmes kontrolleve të rrepta, procedurave të sigurta dhe vetëdijesimit qytetar.
* Reduktimin e stokut të armëve ilegale në qarkullim përmes fushatave për dorëzim vullnetar dhe operacioneve të synuara policore.
* Luftimin e kontrabandës dhe të rrjeteve të shpërndarjes përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
* Ndëshkimin e rreptë të atyre që shkelin ligjin, duke dhënë një mesazh të qartë se mbajtja ilegale e armëve nuk tolerohet.
Apeloj që të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë, të raportojnë çdo rast të dyshuar dhe të refuzojnë çdo lloj kulture që normalizon mbajtjen e armëve. Siguria nuk është vetëm detyrë e institucioneve, është përgjegjësi e përbashkët.
Çdo armë ilegale e konfiskuar është një jetë e shpëtuar, një familje më e sigurt dhe një hap më afër një shoqërie pa dhunë të armatosur./Lajmi.net/