Pajisje GPS në vlerë prej 5400 eurosh pa deklarim në Aeroportin e Prishtinës, nis procedura doganore ndaj udhëtarit

Dogana e Kosovës ka zbuluar pajisje profesionale GPS në vlerë të përafërt prej 5,400 eurosh në bagazhin e një udhëtari me shtetësi turke, i cili kishte hyrë përmes kanalit të gjelbër në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Sipas njoftimit të Doganës, rasti është zbuluar gjatë kontrolleve rutinore të udhëtarëve, pasi dyshimet e ngritura kanë bërë që…

Lajme

20/10/2026 10:27

Dogana e Kosovës ka zbuluar pajisje profesionale GPS në vlerë të përafërt prej 5,400 eurosh në bagazhin e një udhëtari me shtetësi turke, i cili kishte hyrë përmes kanalit të gjelbër në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Sipas njoftimit të Doganës, rasti është zbuluar gjatë kontrolleve rutinore të udhëtarëve, pasi dyshimet e ngritura kanë bërë që zyrtarët doganorë të kryejnë kontroll fizik të bagazhit.

Gjatë kontrollit janë gjetur pajisje profesionale të markës STONEX GPS, të destinuara për matje topografike dhe gjeodezike, të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.

Udhëtari kishte kaluar përmes kanalit të gjelbër, i cili u dedikohet personave që nuk kanë mallra për të deklaruar.

Për shkak të mosdeklarimit të pajisjeve, në bazë të nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizave nr. 08/L-247, ndaj rastit është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore.

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në zbatimin e legjislacionit doganor dhe në parandalimin e kontrabandës dhe evazionit fiskal. /Lajmi.net/