Natë e tensionuar në Prishtinë: 6 zyrtarë të lënduar, 11 protestues kërkuan ndihmë mjekësore dhe 3 persona u shoqëruan në stacion
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjashtë zyrtarë policorë dhe 11 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë protestës së zhvilluar të hënën në Prishtinë. Sipas Policisë, gjatë mbrëmjes disa protestues kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe mjete të forta në drejtim të objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, si dhe në disa raste ndaj…
Lajme
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjashtë zyrtarë policorë dhe 11 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë protestës së zhvilluar të hënën në Prishtinë.
Sipas Policisë, gjatë mbrëmjes disa protestues kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe mjete të forta në drejtim të objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, si dhe në disa raste ndaj zyrtarëve policorë.
Policia ka bërë të ditur se, për menaxhimin e situatës, ka përdorur pajisjet policore, përfshirë gazin lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.
“Si pasojë e sulmit dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme ndaj objekteve shtetërore dhe në disa raste ndaj zyrtarëve policorë që kanë qenë në detyrë zyrtare, gjashtë (6) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Po ashtu, sipas Policisë, 11 qytetarë/protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, tre persona janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa Policia ka bërë të ditur se veprimet e mëtejme ndaj tyre do të ndërmerren në bashkëpunim me organet e drejtësisë.
Policia ka deklaruar se ka ndërhyrë vetëm në rastet kur, sipas saj, protestuesit kanë shfaqur dhunë ndaj institucioneve dhe zyrtarëve policorë, duke theksuar se nuk ka vepruar ndaj protestuesve që kanë protestuar në mënyrë të qetë.
Protesta, sipas Policisë, po vazhdon edhe në orët e vona, ndërsa aktualisht situata është e qetë. Zyrtarët policorë do të vazhdojnë të qëndrojnë në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. /Lajmi.net/