Mbyllet Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strugë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar për mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Strugë. Sipas njoftimit të Ambasadës, vendimi është marrë në bazë të Dekretit Nr. 150/2025 të Presidentes së Republikës së Kosovës dhe në zbatim të Vendimit Nr. Ref. 261/2026 të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe…

Lajme

22/09/2026 12:44

Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar për mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Strugë.

Sipas njoftimit të Ambasadës, vendimi është marrë në bazë të Dekretit Nr. 150/2025 të Presidentes së Republikës së Kosovës dhe në zbatim të Vendimit Nr. Ref. 261/2026 të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Nga Ambasada kanë bërë të ditur se vendimi është bazuar në vlerësimin e dinamikës së misionit konsullor në Strugë dhe synon optimizimin e resurseve, në përputhje me qëllimet dhe nevojat institucionale.

Pas mbylljes së konsullatës, shërbimet konsullore për shtetasit e Kosovës në Maqedoninë e Veriut do të ofrohen nga Ambasada e Kosovës në Shkup, e cila do të mbulojë të gjithë territorin e vendit.

Ndërkaq, prania e Kosovës në Strugë do të vijojë përmes zyrës së Konsullit të Nderit të Republikës së Kosovës, i cili do të vazhdojë të jetë i ngarkuar me rrethin konsullor të këtij qyteti.

Ambasada në Shkup, përveç funksioneve diplomatike, do të vazhdojë të ofrojë shërbime konsullore për qytetarët e Kosovës në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.