“Liria Ka Emër” paralajmëron marshin në Bruksel më 10 tetor: Kosova do të flasë me një zë

Përfaqësuesja e platformës qytetare “Liria Ka Emër”, Eliza Hoxha, ka njoftuar se aktivitetet e kësaj nisme nuk do të përfundojnë me marshin e paralajmëruar në Prishtinë më 1 tetor, por do të vazhdojnë edhe në Bruksel. Sipas Hoxhës, më 10 tetor do të zhvillohet një aktivitet në Bruksel, ku pritet të bashkohen edhe pjesëtarë të…

Lajme

22/09/2026 14:47

Përfaqësuesja e platformës qytetare “Liria Ka Emër”, Eliza Hoxha, ka njoftuar se aktivitetet e kësaj nisme nuk do të përfundojnë me marshin e paralajmëruar në Prishtinë më 1 tetor, por do të vazhdojnë edhe në Bruksel.

Sipas Hoxhës, më 10 tetor do të zhvillohet një aktivitet në Bruksel, ku pritet të bashkohen edhe pjesëtarë të mërgatës, transmeton lajmi.net.

“Më 1 tetor, ne do të dalim përsëri paqësisht, me një mesazh të përbashkët: JO NË EMRIN TIM. Më 10 tetor, kjo thirrje do të vazhdojë në Bruksel, së bashku me mërgatën tonë. Kosova brenda dhe Kosova jashtë do të flasin me një zë”, tha Hoxha.

Në kuadër të kësaj nisme, “Liria Ka Emër” ka paralajmëruar edhe nisjen e një peticioni qytetar me moton “JO NË EMRIN TIM”. Sipas platformës, peticioni do të përcillet simbolikisht në Bruksel, Strasburg dhe Hagë, si shprehje e qëndrimit të qytetarëve që vendosin t’i bashkohen kësaj nisme.

Hoxha ka përsëritur gjithashtu kërkesat e platformës drejtuar institucioneve dhe spektrit politik, duke kërkuar planifikim nga Qeveria, koordinim institucional dhe bashkëpunim ndërpartiak.

“Qeverisë i kërkojmë plan. Institucioneve u kërkojmë koordinim. Partive politike u kërkojmë bashkëpunim. Mërgatës dhe qytetarëve u bëjmë thirrje për pjesëmarrje qytetare. Sot nuk kërkojmë që të gjithë të mendojnë njësoj. Kërkojmë që institucionet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe që dallimet politike të mos e pengojnë koordinimin për çështjet që konsiderohen me interes shtetëror, kombëtar e historik. Më 1 tetor në Prishtinë, më 10 tetor në Bruksel, pastaj komunë më komunë, me një mesazh të vetëm, ‘Jo në emrin tim’. Liria e Kosovës bart shumë emra nëpër histori, por ai i arti është Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha ajo./lajmi.net/