​Liberalizimi i Tregut të Energjisë në Kosovë: ZRrE tregon a do të ketë shtyrje të afatit

Ky është viti i fundit që kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të furnizohen me tarifa të rregullta, thotë kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu. Derisa thekson se deri më tani nuk ka asnjë arsyeje për shtyrje të afatit sa i përket vendimit…

Lajme

23/03/2025 16:29

Ky është viti i fundit që kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të furnizohen me tarifa të rregullta, thotë kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu. Derisa thekson se deri më tani nuk ka asnjë arsyeje për shtyrje të afatit sa i përket vendimit për procesin e liberalizimit të tregut të energjisë. Pra, do të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.

Në një intervistë për KosovaPress, Fejzullahi, derisa jep më shumë detaje për vendimin, thekson mundësinë për një shtyrje të afatit të dorëzimit të dokumentacionit për bizneset e vogla që nuk kanë dorëzuar ende dokumentet e nevojshme për të vijuar furnizimin me tarifa të rregulluara.

Fejzullahi foli edhe për propozimin e shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind muajin e ardhshëm.

Sipas ZRrE-së, paralajmërimi lidhur me ndryshimin e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë, është që vitin e kaluar, por për shkak të krizës energjetike dhe pandemisë, procesi është shtyrë deri më tani. Fejzullahu nënvizoi se kjo lëvizje do t’i japë mundësi bizneseve të zgjedhin vetë furnizuesit e tyre dhe të negociojnë çmime më të favorshme.

“Këto kritere janë të vendosura në ligje, në legjislacionin primar në vitin 2016. Procesi i liberalizimit të tregut ka filluar nga ana e ZRrE-së për zbatimin e këtyre ligjeve në vitin 2017. Tanimë veç i kemi disa konsumatorë që kanë qenë në treg, siç është Ferronikli, Trepça, SharrCemi e disa konsumatorë tjerë, mirëpo meqenëse kemi pas krizën, pandeminë dhe krizën energjetike, ZRrE e ka stopuar procesin e liberalizimit të tregut me qëllimin e vetëm t’i mbrojë këto biznese, derisa të tejkalohet kriza energjetike dhe pandemia. Për këtë arsyeje kemi shtyrë edhe vitin e kaluar, meqenëse kanë qenë ende çmimet e energjisë elektrike shumë të larta, e kemi shtyrë për një vit. Këtë vit është viti i fundit që ata do të furnizohen me tarifa të rregulluara të cilët nuk i plotësojnë kushtet. Pra, këtë vit do të furnizohen me tarifa të rregullune vetëm konsumatorët shtepiak dhe konsumatorët biznisor të vegjël, të cilët kanë të drejtë të furnizohen me tarifa të rregullune. Ndërsa konsumatorët tjerë kanë mundësi të furnizohen me çmime tregut, besoj se është edhe një e mirë që ata të fillojnë të marrin fatin e tyre në dorën e tyre, dhe të negociojnë kontrata shumë më të favorshme me çmime tregut, të cilët ata mund t’i negociojnë me cilindo prej furnizuesve”, deklaron Fejzullahu.

Për këtë, ai thotë se 19 kompani janë të licensuara vetëm në Kosovë, ku kompanitë mund të zgjedhin çmime shumë më të favorshme.

“19 kompani janë të licencuara vetëm në Kosovë, mirëpo një numër i madh i tyre që operojnë edhe në Shqipëri dhe Maqedoni, bizneset tona mund të lidhin kontrata edhe me këto kompani dhe të furnizohen me energji elektrike me çmime shumë më të favorshme për të cilat konsiderojmë se ndoshta vitin e parë do të ketë një kosto shtesë për këto biznese, mirëpo në afatgjatë, konsiderojmë se është një e mirë meqenëse ata do të kenë mundësinë të zgjedhin vet furnizuesin, por të njëjtën kohë edhe t’i negociojnë kontratat për furnizim me energji elektrike”, nënvizon Fejzullahu.

Sipas Fejzullahut, rreth 1 mijë biznese do të duhet të sigurojnë furnizimin me energji elektrike përmes tregut të hapur. Për të vijuar me tarifa të rregulluara, bizneset duhet të dëshmojnë se kanë më pak se 50 punëtorë dhe qarkullim vjetor nën 10 milionë euro.

“Pritet që numri bizneseve që duhet të dalin në treg të jenë rreth 1 mijë biznese, por duhet të ritheksuar se bizneset tjera e kanë për obligim të dëshmojnë se kanë se më pak se 50 punëtorë dhe më pak se 10 milionë euro në rast se dëshirojnë të furnizohen me tarifa të rregulluara nga rregullatori. Gjithë konsumatorët biznesor të cilët plotësojnë këto dy kritere, duhet të dëshmojnë para KESCO-s që plotësojnë dy kritere, nëse dëshirojnë të furnizohen me tarifa të rregulluara…Asnjë arsyeje deri më tani nuk ka për shtyrje të këtij afati, meqenëse kemi paralajmëruar edhe vitin e kaluar që afati i fundit që do të furnizohen me tarifa të rregulluara ka qenë 31 marsi. Me qëllimin e mirë për të diskutuar bashkërisht edhe me bizneset, e kemi shtyrë këtë afat deri me 1 qershor, vetëm që t’i japim hapësirë dhe kohë biznesit të përgatiten për këtë proces dhe të njëjtën kohë bashkërisht do të jemi bashkë me bizneset për t’i ndihmuar në këtë proces”, tha ai.

Fejzullahu nënvizon se po ashtu dy vitet e fundit kanë krijuar edhe bursën, instrument i cili ua lehtëson edhe kontraktimin e energjisë këtyre bizneseve, meqenëse siç thotë ai, bursa shqiptare tanimë veç është funksionale në Shqipëri, e cila është edhe në Kosovë.

Megjithatë, ai lë të hapur mundësinë për një shtyrje të afatit të dorëzimit të dokumentacionit për bizneset e vogla, që nuk kanë dorëzuar ende dokumentet e nevojshme për të vijuar furnizimin me tarifa të rregulluara.

“Po shikojmë mundësinë për shtyrjen e këtij afati në rast një numër i madh i bizneseve nuk e kanë sjellë këto dokumente, mirëpo nuk do të ketë afat shumë i gjatë, meqenëse data për fillimin ose implementimin e tarifave do të jetë 1 maji…Afati (ka skaduar më 21 mars) për dorëzimin e këtyre dokumenteve, në rast se kemi një numër të madh të bizneseve që nuk kanë dorëzuar këto dokumente, ne do të shqyrtojmë mundësinë e shtyrjes edhe për një periudhë të shkurtë të këtij afati, por këta domosdoshmërisht duhet të dorëzojnë dokumentet në qoftë se dëshirojnë të furnizohen me tarifa të rregulluara…Ende nuk i kemi të dhënat, por do të dalim të hënën me një informatë në rast se një numër i madh i bizneseve nuk i kanë dërguar këto dëshmi te KESCO, do të konsiderojmë ndoshta edhe një afat shtesë njëjavor për dorëzimin e këtyre dokumenteve, në të kundërtën ata do të dalin në treg në rast se nuk sjellin këto dy dokumente…Sipas informacioneve ende një numër i madh i bizneseve të vogla, nuk i kanë sjellë dëshminë që kanë të drejtë të furnizohen me tarifa të rregullune”, tha ai.

Përveç liberalizimit të tregut, Fejzullahu njoftoi gjithashtu se pritet një rritje prej rreth 15 për qind në tarifat e energjisë për konsumatorët fundorë.

“Stafi i ZRrE-së i ka marrë në shqyrtim këto aplikacione, i ka shqyrtuar dhe ka dalë me një raport konsultativ, ku fton të gjitha palët që deri më datën 28 shkurt t’i dorëzojnë komentet e tyre lidhur me raportin konsultativ në mënyrë që edhe bordi i ZRrE-së, por edhe stafi profesional i ZRrE-së t’i shqyrtojnë dhe t’i propozojnë bordit për aprovim. Në këtë propozim afërisht sipas këtij draft raporti, pritet të ketë rritje të tarifave te konsumatorët fundor rreth 15 për qind. Faktorët kryesisht që kanë ndikuar në propozimin për rritje të tarifave janë çmimet enorme të importit, rrjedhimisht edhe sasia e importit…Çmimi i importit i realizuar për vitin e kaluar është mbi 150 euro për megavat orë”, thotë Fejzullahu.

Vendimi i ZRrE-së, për procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike ka shkaktuar shqetësime të shumta në radhët e bizneseve të Kosovës, derisa kompanitë paralajmërojnë për rritje të kostove dhe çrregullimeve ekonomike, nëse ndodhë shpejt ky liberalizim i tregut energjetik.