Kuvendi i Kosovës jep detaje nga seanca e sotme ku u ratifikuan marrëveshjet ndërkombëtare që i sjellin Kosovës mbi 1 miliardë euro
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën e sotme ka miratuar marrëveshjet ndërkombëtare për Planin e rritjes së Bashkimit Evropian dhe tri marrëveshjet me Bankën Botërore. Marrëveshja për Planin e Rritjes i sjell Kosovës 882.6 milionë euro, ndërsa tri marrëveshjet me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro. Kuvendi i Kosovës përmes një postimi…
Lajme
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën e sotme ka miratuar marrëveshjet ndërkombëtare për Planin e rritjes së Bashkimit Evropian dhe tri marrëveshjet me Bankën Botërore.
Marrëveshja për Planin e Rritjes i sjell Kosovës 882.6 milionë euro, ndërsa tri marrëveshjet me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro.
Kuvendi i Kosovës përmes një postimi në Facebook, ka dhënë detaje në lidhje me rrjedhën e kësaj seance.
Në këtë seancë fillimisht janë betuar dy deputetë, Afërdita Hajrizidhe Uran Ismaili, ndërsa më pas Kuvendi miratoi plotësimin e vendimit lidhur me përbërjen e komisioneve parlamentare, pas propozimeve të kryetarëve të dy grupeve parlamentare, Arbërie Nagavcit (VV) e Besnik Tahirit (AAK).
“Kuvendi vijoi punën me shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Bashkimit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje, të cilin para deputetëve, në emër të Qeverisë e prezantoi ministri Hekuran Murati, ndërsa raportin e komisionit funksional e paraqiti kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Hykmete Bajrami. Pas qëndrimeve të kryetarëve të grupeve parlamentare, me 104 vota për, Kuvendi miratoi këtë marrëveshje”, ka njoftuar Kuvendi.
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar edhe për marrëveshjet e tjera që janë miratuar.
“Po ashtu pas votimit për shmangie nga afatet procedurale, Kuvendi miratoi edhe këto marrëveshje: Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore); Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit; Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“ – Qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë; Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”. Të gjitha këto projektligje para Kuvendit i paraqiti dhe arsyetoi ministri Hekuran Murati”, ka njoftuar Kuvendi i Kosovës.
Pikë e rendit të ditës ishte edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, por me dakordimin e grupeve parlamentare, u vendos që shqyrtimi dhe miratimi në parim i këtij projektligji do të bëhet të hënën, më 16 shkurt, në orën 10:00, ndërsa leximi i dytë të premten, më 20 shkurt.
“Miratimin e marrëveshjeve kryetarja Albulena Haxhiu e konsideroi lajm të mirë për çdo qytetar, sepse, siç tha ajo, hap rrugë për projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës. “Falënderoj deputetët për punën e tyre në komisione parlamentare, për debatin konstruktiv dhe për mbështetjen që e bëri të mundur kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend. Uroj që vendimet e sotme të sjellin rezultate të prekshme për të gjithë qytetarët dhe të kontribuojnë në një zhvillim të qëndrueshëm të vendit tonë”, ka njoftuar Kuvendi i Kosovës duke cituar kryetaren Albulena Haxhiu. /Lajmi.net/