“E pafalshmja Osmani” – Nga 2009’ta ishin falur mbi 300 të burgosur, presidentja Osmani gjatë gjithë mandatit të saj fali vetëm një grua më 2025
Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, i kanë mbetur vetëm edhe pak muaj, saktësisht vetëm edhe 4 muaj që të ushtroj këtë detyrë si e para shtetit, pasi që ajo do ta përfundoj mandatin e saj në prill të 2026-ës. Këtë mandat, Osmani e ka fituar më 4 prill të vitit 2021, pasi i siguroi 71…
Lajme
Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, i kanë mbetur vetëm edhe pak muaj, saktësisht vetëm edhe 4 muaj që të ushtroj këtë detyrë si e para shtetit, pasi që ajo do ta përfundoj mandatin e saj në prill të 2026-ës.
Këtë mandat, Osmani e ka fituar më 4 prill të vitit 2021, pasi i siguroi 71 vota për, shkruan lajmi.net.
Duke iu afruar përfundimit të mandatit, Osmani si duket ka vendosur të “zbut” zemrën e saj.
Ajo gjatë vitit 2025 ka vendosur të fal një grua të burgosur. E kjo gjë sigurisht se është çudi për të gjithë, duke shtuar këtu faktin se Vjosa Osmani nuk fali as edhe një person në gjithë vitet e kaluara si Presidente e Kosovës.
Pavarësisht thirrjeve të shumta përmes kërkesave që drejtoheshin nga të burgosurit përmes instancave të caktuara – Osmani asnjëherë s’u përgjigj pozitivisht në to.
Por në një rast, të shtyrë madje nga Ministria e Drejtësisë, asokohe e drejtuar nga Albulena Haxhiu e bëri Osmanin të marrë vendim për falje.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, të cilët kanë thënë se e burgosura ishte e dënuar për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.
“Deri më tani është pranuar vetëm një Dekret për Falje me Nr. 04/2025, i datës 29.01.2025, me të cilin të dënuarës A. C, i është falur pjesa e mbetur e dënimit. E njëjta ka qene e dënuar për Veprën Penale Rrezikim i Trafikut Publik”, kanë thënë nga ShKK për lajmi.net.
Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë treguar edhe se sa kërkesa për falje kanë pranuar brenda vitit 2025.
“Gjatë vitit 2025, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka pranuar gjithsej 43 kërkesa për falje të dënimit”, kanë thënë nga ShKK.
E nga gjithë këto kërkesa për falje vetëm gjatë këtij viti e shumë sosh gjatë viteve të tjera të mandatit të saj, Osmanin e kishte bindur t’ia fal dënimin vetëm A.C.
Ajo për këtë vendim kishte njoftuar edhe përmes një postimi në Faceook, më 29 janar të këtij viti, vendim të cilin tha se e kishte marrë për arsye humanitare.
“Në marrjen e vendimit për falje, janë marrë parasysh edhe faktorë të tjerë, duke përfshirë faktin se e dënuara nuk ka kryer asnjë vepër penale më herët, vepra penale për të cilën është dënuar është për ‘Rrezikim të Trafikut Publik’, pra është kryer aksident pa dashje, ndërkaq është vërtetuar se nuk ka qenë nën ndikim të alkoolit apo substancave të tjera kur ka ndodhur aksidenti. Përveç këtyre, gjithashtu janë marrë parasysh sfidat shëndetësore të nënës dhe foshnjës”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, e dënuara ka filluar mbajtjen e dënimit prej 1 vit e dy muaj burg, në korrik të vitit 2024, ndërkaq do të duhej të lirohej në mënyrë të rregullt nga burgu më 14 shtator të këtij viti.
“Dosja me propozimin e shqyrtuar nga Komisioni si dhe nga ekipi ligjor i Presidentes, ka arritur sot në tavolinën e Presidentes. Prandaj, duke marrë parasysh faktorët humanitarë dhe vlerësimet profesionale të të gjitha institucioneve relevante, Presidentja ka vendosur faljen e pjesës së mbetur të dënimit të saj”, theksohej tutje në njoftimin e lëshuar nga Presidenca.
Vitin e kaluar, pra gjatë 2024-tës, në Shërbimin Korrektues të Kosovës, janë dërguar plotë 94 kërkesa për falje të personave të dënuar.
E në mesin e këtyre kërkesave ishin 80 burra e 14 gra të dënuara.
“Gjatë këtij viti (01.01.2024 – 13.12.2024), kemi pranuar gjithsej 94 kërkesa për falje nga personat e dënuar. Nga raporti i kërkesave të pranuara rezulton se 80 prej tyre janë parashtruar nga burra të dënuar dhe 14 nga gra të dënuara”, u tha nga ShKK.
Po ashtu nga Shërbimi Korrektues ishte bërë e ditur vitin e kaluar për lajmi.net që s’kanë pranuar asnjë dekret për falje të presidentes.
“Bazuar në Ligjin Nr. 03/L-101 për Faljen, çdo vit personat e dënuar paraqesin kërkesa për falje, të cilat dërgohen për shqyrtim në Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës. Megjithatë, nga viti 2020 deri më tani, nuk kemi pranuar asnjë dekret për falje nga Zyra e Presidentes”, thuhej tutje.
Lajmi.net edhe vitin që kemi lënë pas edhe këtë vit, ka dërguar disa herë pyetje tek Presidenca e Kosovës, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje asnjëherë dhe nuk kanë dhënë asnjë arsye se përse gjatë gjithë këtij mandati, Osmani ka vendosur të fal vetëm një person.
Ajo gjatë katër viteve të plota, ka injoruar të burgosurit, të cilët mund të kenë përfunduar aty edhe për vepra penale të shkaktuara aksidentalisht e pa qëllimshëm.
Në vitin 2023 tek Presidentja Vjosa Osmani u dërguan 97 kërkesa për falje, por nuk mori askush përgjigje. Në vitin 2022 në zyrën e Osmanit shkuan 195 kërkesa po ashtu nga të burgosurit.
Kurse që nga viti 2009 e tutje mbi 300 persona janë falur nga Presidenca e Kosovës. Ish-presidenti Hashim Thaçi pati falur mbi 10 të burgosur në mandatin e tij.
Numri i kërkesave për falje që iu drejtuan Presidencës së Kosovës pati rënie të dukshme, pasi që edhe të burgosurit e kuptuan se në fakt Osmani kishte vendosur të shndërrohej në presidenten e “pafalshme” të vendit. /Lajmi.net/