Hoxha: Lojërat Mesdhetare 2030 janë projekt shtetëror, nuk mund të jemi pronarë të suksesit e spektatorë të dështimit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka ngritur shqetësime për përgatitjet e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, duke kritikuar mungesën e koordinimit ndërmjet Qeverisë, Komunës së Prishtinës dhe Komitetit Olimpik. Duke folur në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, Hoxha ka kërkuar përgjegjësi institucionale për projektin, i cili, sipas saj,…
Lajme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka ngritur shqetësime për përgatitjet e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, duke kritikuar mungesën e koordinimit ndërmjet Qeverisë, Komunës së Prishtinës dhe Komitetit Olimpik.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, Hoxha ka kërkuar përgjegjësi institucionale për projektin, i cili, sipas saj, nuk mund të trajtohet vetëm si përgjegjësi e kryeqytetit.
Ajo ka rikujtuar se Prishtina fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare në vitin 2023, duke ngritur pikëpyetje për studimin e fizibilitetit, kapacitetet ekonomike dhe sportive, si dhe përfitimet që pritet t’i sjellë ky organizim.
“Unë sot nuk i kam këto përgjigje, por ajo që shoh sot janë mosmarrëveshjet ndërmjet Qeverisë, Komunës dhe Komitetit Olimpik, ndërsa Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare ka ngritur shqetësime serioze për përmbushjen e detyrimeve që tashmë Kosova dhe Prishtina i kanë marrë përsipër”, ka deklaruar Hoxha.
Ajo ka kritikuar edhe mënyrën se si institucionet po e bartin përgjegjësinë te njëra-tjetra, duke theksuar se organizimi i këtyre lojërave është një projekt me rëndësi shtetërore.
“Kur u fitua organizimi, të gjithë donin të fotografoheshin si pjesë e suksesit, sot përgjegjësia po bartet nga një institucion te tjetri. Nuk mund të jesh pronar i suksesit dhe spektator i dështimit”, ka thënë deputetja.
Në fund, Hoxha ka theksuar se Lojërat Mesdhetare 2030 nuk janë vetëm projekt i Prishtinës, por përgjegjësi e të gjitha institucioneve të Kosovës.
“Lojërat Mesdhetare 2030, pavarësisht pse i referohen kryeqytetit, projekti dhe përgjegjësia si e tillë nuk është vetëm e Prishtinës. Ky është projekt shtetëror”, ka përfunduar ajo. /Lajmi.net/