Haziri: Albin Kurti po shkel mbi gjakun e dëshmorëve, veç mbi trupin tonë do të kalojnë pa e votuar Projektligjin

Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Kuvend dhe mosvotimit të Projektligjit për Dhomat e Specializuara. Haziri ka thënë se protestuesit tash e 20 ditë po qëndrojnë në shesh, duke kritikuar atë që e ka cilësuar si “politikë të papërgjegjshme” dhe përpjekje për të bërë “pazare…

Lajme

05/10/2026 17:10

Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Kuvend dhe mosvotimit të Projektligjit për Dhomat e Specializuara.

Haziri ka thënë se protestuesit tash e 20 ditë po qëndrojnë në shesh, duke kritikuar atë që e ka cilësuar si “politikë të papërgjegjshme” dhe përpjekje për të bërë “pazare politike” në kurriz të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Jemi duke protestuar tash e 20 ditë në këtë shesh, ndërsa sot jemi dëshmitarë të një mosvotimi të një politike të papërgjegjshme, të një politike që tenton që në kurriz të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të bëjë pazare politike”, deklaroi Haziri.

Ai i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se, sipas tij, veprimet e fundit po bëhen në dëm të ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të dëshmorëve.

“Albin Kurti le ta dijë që me këto tendenca për të bërë pazare po shkel mbi gjakun e dëshmorëve”, tha Haziri.

Më tej, Haziri ka deklaruar se protestuesit do të qëndrojnë para Kuvendit dhe ka paralajmëruar se do të shtrihen në tokë në rast se deputetët tentojnë të dalin nga objekti.

“Veç mbi trupin tonë, ata do të dalin me polici, duke shkelur mbi trupin tonë, pa e votuar Projektligjin për Dhomat e Specializuara”, deklaroi ai.

Haziri ka vazhduar me thirrjen drejtuar deputetëve, duke thënë se asnjëri prej tyre nuk do të mund të largohet nga Kuvendi pa kaluar përmes protestuesve.

“Nuk do të ketë mundësi asnjë deputet të dalë pa shkelur mbi trupat tanë. Do të shtrihemi në tokë, le të na shkelin neve e le të vazhdojnë tek familjet e tyre”, tha ai.

Në fund, Haziri u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës.

“I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen në protestën tonë, në çdo shesh të Prishtinës”, përfundoi Haziri. /Lajmi.net/