Gjykatësi në Hagë: Thaçi dhe Fazliu tentuan të pengojnë zyrtarët, konstatohet shkelje e fshehtësisë së procedurës

Gjykatësi Christopher Gosnell, gjatë leximit të përmbledhjes së aktgjykimit në Hagë, ka paraqitur konstatimet e trupit gjykues lidhur me akuzat ndaj Hashim Thaçit dhe Fadil Fazliut. Sipas konstatimeve të gjykatës, është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Thaçi dhe Fazliu kanë tentuar, përmes veprimeve të përbashkëta, të pengojnë personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të…

Lajme

17/11/2026 10:40

Gjykatësi Christopher Gosnell, gjatë leximit të përmbledhjes së aktgjykimit në Hagë, ka paraqitur konstatimet e trupit gjykues lidhur me akuzat ndaj Hashim Thaçit dhe Fadil Fazliut.

Sipas konstatimeve të gjykatës, është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Thaçi dhe Fazliu kanë tentuar, përmes veprimeve të përbashkëta, të pengojnë personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.

Gjykatësi ka theksuar se Thaçi kishte rolin e drejtuesit dhe organizatorit të grupit, sipas nenit 401(3).

Po ashtu, trupi gjykues ka konstatuar se Thaçi ka kryer veprën e mosbindjes ndaj gjykatës, ndërsa Fazliu e ka ndihmuar atë në këtë vepër.

Gjatë leximit, Gosnell është ndalur edhe te vizita e 2 korrikut, gjatë së cilës Thaçi kishte zbuluar informacione konfidenciale lidhur me disa dëshmitarë të Prokurorisë në çështjen numër 6.

Sipas gjykatës, është konstatuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Thaçi ka shkelur fshehtësinë e procedurës dhe ka kryer veprën e mosbindjes ndaj gjykatës.

Megjithatë, gjykatësi ka theksuar se nuk është bindur se Fazliu e ka ndihmuar Thaçin në nxjerrjen e këtyre informacioneve konfidenciale.

Seanca po vazhdon me leximin e konstatimeve të trupit gjykues lidhur me përgjegjësinë penale të të akuzuarve. /Lajmi.net/