Gjykatësi Gosnell: Mbrojtja kundërshtoi fuqishëm besueshmërinë e transkripteve dhe përkthimeve, pati ekspert gjuhësor
Ka filluar seanca gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të bashkëakuzuarve të tij, në rastin që lidhet me pengimin e dyshuar të administrimit të drejtësisë. Përveç Thaçit, në këtë proces akuzohen edhe ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Bashkim Smakaj,…
Lajme
Ka filluar seanca gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të bashkëakuzuarve të tij, në rastin që lidhet me pengimin e dyshuar të administrimit të drejtësisë.
Përveç Thaçit, në këtë proces akuzohen edhe ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu, raporton lajmi.net.
Në fillim të seancës, gjykatësi Christopher Gosnell ka paraqitur një përmbledhje të ecurisë së procesit gjyqësor, duke treguar datat kryesore të shqyrtimit dhe numrin e dëshmitarëve e të provave të administruara.
“Kjo çështje m’u transferua nga gjyqtarja e procedurës paraprake më 12 nëntor 2025. Gjykimi filloi me deklaratat hyrëse më 27 shkurt 2026. Seancat e paraqitjes së provave përfunduan më 5 gusht të vitit 2026, pasuar nga deklaratat përmbyllëse më 10, 11 dhe 14 shtator 2026”, tha ai.
Gosnell bëri të ditur se gjatë procesit janë dëgjuar gjithsej nëntë dëshmitarë, prej të cilëve tre janë paraqitur nga Prokuroria dhe gjashtë nga mbrojtja.
Ai theksoi se në mesin e provave të administruara përfshihen audioincizime, të dhëna të telekomunikimit, mesazhe dhe materiale të tjera të siguruara nga pajisjet në objektin e paraburgimit.
“Dëshmitë u dëgjuan nga nëntë dëshmitarë, ku tre u paraqitën nga Prokuroria dhe gjashtë nga mbrojtja. Kategoritë e tjera të provave të pranuara përfshijnë audioincizime, të dhëna të telekomunikimit dhe mesazhe, të dhëna nga printeri dhe kompjuteri në objektin e paraburgimit, si dhe prova të tjera dokumentare. Gjithsej 241 prova materiale të Prokurorisë dhe 123 prova materiale të mbrojtjes u pranuan si prova”, deklaroi gjykatësi.
Sipas tij, ndër provat kryesore në këtë çështje janë regjistrimet e bisedave gjatë pesë vizitave të zhvilluara në objektin e paraburgimit, ku përfshihen Thaçi dhe të bashkëakuzuarit e tij.
“Provat kryesore në këtë çështje gjyqësore janë audioincizimet e pesë vizitave të Thaçit dhe bashkëakuzuarve të tij në objektin e paraburgimit. Këto audioincizime u autorizuan nga gjykata. Ato janë tërësisht në gjuhën shqipe dhe transkriptimi i këtyre audioincizimeve u dorëzua nga Prokuroria, sikurse kërkohej sipas vendimit për gjuhën e punës, të lëshuar nga gjyqtarja e procedurës paraprake në dhjetor 2024”, tha Gosnell.
Gjykatësi foli edhe për kundërshtimet e mbrojtjes lidhur me saktësinë dhe besueshmërinë e transkripteve dhe përkthimeve të këtyre regjistrimeve.
“Mbrojtja kundërshton fuqimisht besueshmërinë e transkriptimit dhe përkthimit të këtyre audioincizimeve. Mbrojtja paraqiti prova nga një ekspert gjuhësor, i cili tha se cilësia e audioincizimeve ishte aq e ulët saqë mbrojtja nuk mundi të evidentonte gabime thelbësore në transkriptimin e tyre”, deklaroi ai.
Rasti lidhet me pretendimet e Prokurorisë për ndërhyrje në administrimin e drejtësisë, përkatësisht përpjekje për të ndikuar te dëshmitarët.
Thaçi dhe katër të bashkëakuzuarit e tij po përballen me vendimin e shkallës së parë, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave./Lajmi.net/