Gjuhë urrejtjeje dhe shkelje rregullash – mbi 32 mijë euro gjoba shpërndau PZAP deri tani

Mbi 32 mijë euro është shumë e gjobave që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar për disa kandidatë e subjekte politike gjatë fushatës për zgjedhjet lokale 2025. PZAP në gjashtë vendime ka shqiptuar gjoba për shkak të shkeljeve të rregullave të fushatës zgjedhore, në mesin e tyre për gjuhë nxitëse dhe të…

Lajme

05/10/2025 20:00

Mbi 32 mijë euro është shumë e gjobave që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar për disa kandidatë e subjekte politike gjatë fushatës për zgjedhjet lokale 2025.

PZAP në gjashtë vendime ka shqiptuar gjoba për shkak të shkeljeve të rregullave të fushatës zgjedhore, në mesin e tyre për gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes.

Fushata për zgjedhjet e 12 tetorit është në zhvillim e sipër dhe si çdoherë po zhvillohet mirë e pa ndonjë incident.

Gjatë fushatës zgjedhore, kandidatët për kryetarë të komunave dhe ata për kuvendet lokale do të shpalosin programet e tyre dhe do të tentojnë të bindin qytetarët që t’i votojnë.

Rrjeti i organizatave që mbikëqyrin procesin zgjedhor, Demokracia në Veprim (DnV) u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike dhe kandidatëve që të zhvillojnë një garë zgjedhore “në frymë të përgjegjshme, fer, por edhe kompetitive, gjithnjë duke u kujdesur që t’i zbatojnë ligjet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për një proces të qetë, të drejtë dhe demokratik”.

“Veçanërisht, DnV konsideron që është tejet me rëndësi që të respektohet Kodi i Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët. Në këtë drejtim, u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të garantojnë zbatim të barabartë të legjislacionit”, u tha në njoftimin e këtij rrjeti.

Janë 206 kandidatë të cilët po garojnë për udhëheqës të komunave të Kosovës, kurse janë më shumë se 5 mijë e 600 kandidatë të cilët synojnë ulëse në kuvendet komunale.

Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë të ditur se shuma total e gjobave të shqiptuara deri më tani në kuadër të fushatë zgjedhore është 38,200.00 euro.

PZAP po ashtu theksoi se subjekti politik i cili ka marrë më së shumti gjoba është “Iniciativa Qytetare për Skenderaj”.

Derisa fushata është duke vazhduar shumë prej kandidatëve po vazhdojnë të bëjnë edhe deklarime nga më të ndryshmet, e që shpesh herë janë të xhiruara nëpër emisione televizive.

E deklarimet e ngjashme me ofendime e akuza të rënda e bëjnë edhe më të lehtë shqiptimin e gjobave.

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ditë më parë u deklarua në lidhje me vendimet e PZAP-së dhe gjobat e shqiptuara deri më tani për kandidatë e subjekte politike.

“Deri më tani në këtë moment, me sa vërejta nga platforma e PZAP-së, diku janë rreth gjashtë vendime me gjobë që janë shqiptuar disa kandidatëve dhe subjekteve politike për shkak të shkeljes së rregullave të fushatës zgjedhore. Nga 17 raste që unë evidentova, gjashtë prej tyre janë të vendosura me gjobë. Me shtatë mijë euro gjobë për gjuhë nxitëse dhe urrejtëse më së shumti deri më tani po prin iniciativa qytetare ‘Skenderaj’ e Sokol Halilit, i njëjti është i dënuar në dy raste nga PZAP për shkak të përdorimit të gjuhës nxitëse dhe urrejtëse. Pastaj e dyta është Partia Demokratike e Kosovës, e njëjta për shkak të bërjes së fushatës në institucione publike apo edhe për gjuhë nxitëse. Në këtë radhë vjen Faton Peci, kandidati për Mitrovicë dhe është i dënuar me 2500 euro gjobë për shkak të bërjes së fushatës në hapësira publike dhe së fundmi është edhe LDK – kandidati për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama i gjobitur me gjobë prej 2500 euro për shkak të bërjes së fushatës në institucione publike. Këto janë kategoria e gjobave deri më tani, në total prej 20 mijë e 500 euro gjobë ”, deklaroi ai.

Në periudhën e njëjtë të fushatës për zgjedhje nacionale, Bugaqku thotë se ishin shqiptuar mbi 100 mijë euro gjobë.

Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit të drejtë vote kanë dy milionë e 69 mijë e 98 votues. Në mesin e tyre janë edhe mbi 43 mijë votues prej jashtë shtetit. Në këto zgjedhje lokale janë certifikuar 93 subjekte, prej tyre 32 parti politike, 32 iniciativa qytetarë, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

Kosova i ka mbajtur zgjedhjet e fundit lokale në tetor të vitit 2021.

Asokohe, Partia Demokratike e Kosovës kishte fituar më së shumti komuna, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës./Lajmi.net/