Driton Vela anëtar në Bordin e AKA-së, reagon ORCA: Kjo është alarmante, do të njoftojmë ENQA-n dhe EQAR-in

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim “ORCA”, ka reaguar në lidhje me procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Agjencisë për Akreditim nga Qeveria, ku një nga emrat është edhe Driton vela, ish kandidat për deputet nga VV në zgjedhjet e vitit 2019. ORCA ka thënë se ky emër është kontrabanduar në listën…

Lajme

22/04/2026 11:14

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim “ORCA”, ka reaguar në lidhje me procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Agjencisë për Akreditim nga Qeveria, ku një nga emrat është edhe Driton vela, ish kandidat për deputet nga VV në zgjedhjet e vitit 2019.

ORCA ka thënë se ky emër është kontrabanduar në listën e kandidatëve duke anashkaluar transparencën dhe ekspertizën e organizatave që monitorojnë arsimin e lartë, ndërsa ka thënë se ky zhvillim është veçanërisht alarmues pasi bëhet fjalë për një institucion të pavarur, kredibiliteti i të cilit është thelbësor për cilësinë e arsimit të lartë në vend.

“ORCA rikujton se në vitin 2023, gjatë një procesi të mëhershëm për përzgjedhje në këtë bord, Driton Vela ishte diskualifikuar pasi ishte kapur në flagrancë duke mashtruar komisionin përmes deklarimeve të rreme në aplikim. Ky fakt, i dokumentuar dhe i bërë publik në atë kohë, e bën të pakuptimtë dhe të papranueshme rikthimin e tij në një proces të ri për të njëjtën pozitë. Për më tepër, ORCA është e informuar për parregullsi të shumta në procesin aktual, duke përfshirë paqartësi serioze në lidhje me raportin e komisionit vlerësues dhe mënyrën e procedimit të tij drejt qeverisë dhe institucioneve tjera”, thuhet në reagim.

Ata kanë thënë se ky rast përbën një precedent të rrezikshëm të ndërhyrjes politike në institucione që duhet të jenë të pavara dhe të bazuara në meritë. Sipas ORCA-s, përfshirja e personave me histori të dokumentuar të mashtrimit në procese të tilla përveç që dëmton besimin e publikut, rrezikon të minojë përpjekjet e viteve të fundit për ngritjen e standardeve në arsimin e lartë dhe për rikthimin e kredibilitetit të Agjencisë së Akreditimit në nivel ndërkombëtar.

“Në këtë kontekst, ORCA rikujton ndërhyrjet e vitit 2017–2019 nga Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, të cilat çuan në cenimin e pavarësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe përfundimisht në përjashtimin e saj nga mekanizmat ndërkombëtarë të sigurimit të cilësisë. Fatkeqësisht, zhvillimet aktuale tregojnë se qasja e Kryeministrit aktual Albin Kurti nuk dallon në thelb nga ajo e paraardhësit të tij: ndërhyrja është e njëjtë, metoda është e njëjtë, dhe rreziku për pasojat mbetet real. ORCA shpreson që kësaj radhe rezultati të mos jetë i njëjtë dhe që Kosova të mos përballet sërish me izolim ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë”, thuhet mes tjerash në reagim.

ORCA ka paralajmëruar se do të përdorë të gjithë mekanizmat në dispozicion për të ndalur këtë përpjekje për kapje të një institucioni të pavarur, përfshirë edhe njoftimin zyrtar të përfaqësuesve ndërkombëtarë të ENQA dhe EQAR për situatën e krijuar.

“Çdo ndërhyrje e tillë rrezikon drejtpërdrejt jo vetëm integritetin e Agjencisë së Akreditimit, por edhe kredibilitetin ndërkombëtar të arsimit të lartë në Kosovë”, ka shkruar ORCA. /Lajmi.net/

Komunikata e plotë: