Dëshmitë në Hagë, deklarimet e ofendimet drejtuar ish-pjesëtarëve të UÇK-së – Pse opozita s’e voton Donika Gërvallën
Sot, në Kuvendin e Kosovës ka ndërruar dinamika e zhvillimeve për konstituimin e Kuvendit, duke u ndërruar edhe kandidatja e propozuar nga VV për kryekuvendare. Herën e parë, përfaqësuesi i VV-së dhe ish-kryeparlamentari, Glauk Konjufca propozoi Albulena Haxhiun e cila mori vetëm 57 vota pro. Herën tjetër, Konjufca propozoi ministren në detyrë të Punëve të…

Lajme
Sot, në Kuvendin e Kosovës ka ndërruar dinamika e zhvillimeve për konstituimin e Kuvendit, duke u ndërruar edhe kandidatja e propozuar nga VV për kryekuvendare.
Herën e parë, përfaqësuesi i VV-së dhe ish-kryeparlamentari, Glauk Konjufca propozoi Albulena Haxhiun e cila mori vetëm 57 vota pro. Herën tjetër, Konjufca propozoi ministren në detyrë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën por as kjo nuk rezultoi e suksesshme.
Gërvalla arriti të marr vetëm 57 vota pro, si edhe kandidatja paraprake, ndërkaq për Gërvallën nuk votoi pro përveç opozitës edhe bashkëshortja e Rexhep Selimit, deputetja e VV-së, Shqipe Rexhepi-Selimi.
Por, pse Gërvalla nuk u votua nga Shqipe Rexhepi-Selimi?
Ndonëse, deputetja në fjalë, nuk është deklaruar pse nuk ka votuar, “historitë” dhe deklarimet e mëparshme të Gërvallës për bashkëshortin e saj, Rexhep Selimin, lënë të kuptohet arsyeja pse nuk u votua.
Në vitin 2020, ishte Gërvalla ajo që Rexhep Selimin përmes një postimi në Facebook e quante “figurë e diskretituar e botës së krimit”. Gjithashtu, ajo për Selimin thoshte se është “një prej të dyshuarve të Hagës”.
Këto deklarata duken të jenë arsyet pse Shqipe Rexhepi-Selimi mban “inate” me Donika Gërvallën duke mos e votuar atë.
Përveç Shqipe Selimit, krah Donika Gërvallës nuk votuan as partitë opozitare.
Pse nuk votoi PDK pro Donika Gërvallës?
Partia Demokratike e Kosovës, saktësisht edhe vetë kryetari i saj në vazhdimësi kanë deklaruar se nuk do të votojnë për një kandidat të propozuar nga VV i cili ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti.
Por, përveç këtij qëndrimi, PDK ka edhe arsye të tjera pse nuk do ta votoj Gërvallën.
Në vitin 2017, ishte vetë Donika Gërvalla ajo që kishte deklaruar se do të dorëzoj materiale në Gjykatë Speciale kundër krerëve të UÇK-së.
“Brenda mundësive që kam patjetër që do të kërkoj materiale në Speciale. Po kam material. Kemi kryetar të parlamentit që unë e quaj më të turpshme se sa Thaci që është president. Gjithë bota e di kush është Kadri Veseli dhe gjithë bota e di kush është Hashim Thaci. Kadri Veseli ka qenë koka e organizatës që ka bërë krime ndaj kundërshtarëve politikë”, kishte thënë Gërvalla në Dukagjin.
“Gjykata Speciale ende nuk është institucion që një qytetar t’i drejtohet, brenda mundësive që kam patjetër (se do t’i drejtohen), sa do të merren në konsideratë është gjë tjetër”, ka thënë Gërvalla.
Nëse ajo i ka dorëzuar këto prova ose jo, Gërvalla nuk është deklaruar më, por se sulmet e saj ndaj krerëve të UÇK-së nuk i ka ndalur asnjëherë.
Po në atë vit, Ramush Haradinajn, Hashim Thaçin e Kadri Veselin ajo i quante “tufë kriminelësh”.
Kundër Donika Gërvallës, sot në Kuvend votoi edhe Ramush Haradinaj dhe deputetët e partisë që ai udhëheq, AAK-së.
Pse nuk votuan deputetët e AAK-së pro Gërvallës?
Është e freskët në memorien e të gjithëve, deklarata e fundit e Donika Gërvallës në fushatën e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku në vendlindjen e tij në Deçan, e quajti Ramush Haradinajn “të ashtuquajtur hero të Çakorrit” dhe “gjeneral të vetëshpallur”.
“Ju e njihni të ashtuquajturin hero të Çakorrit që ju premton anëtarësim të NATO-s për tre muaj madje. Vëllezër, Kosova në NATO nuk hyn as me gjeneralë të vetëshpallur e as me katër milionë euro buxhet në vit për ushtri siç ishte më parë. Ende pa i fshirë fotografitë me Radojçiqin, thotë që kryeministri dhe qeveria e juaj qenka bashkëpunëtore e Serbisë. Ky kryeministër që Radojçiqin e mposhti në Banjskë, ia shkatërroi bandat, ia konfiskoi pasurinë marramendëse e dëboi nga Kosova, dhe e izoloi përgjithmonë në Serbi”, tha ajo në Deçan më 26 janar të këtij viti.
Por deklaratat e saj kundër Haradinajt nuk përfundojnë me kaq.
“Ramush Haradinaj, Zoti t’marroftë”, kishte shkruar Gërvalla në vitin 2018 në Facebook, ku edhe Haradinajn e quante “kriminel ordiner” dhe “pis”.
Ndonëse jo drejtpërdrejt LDK-së, ish partisë së saj, Donika Gërvalla akuza të forta i kishte drejtuar edhe ish kryetarit të LDK-së, dhe ish kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.
Atë në vitin 2016 e kishte quajtur “qen bir qeni” duke e ofenduar Mustafën dhe familjen e tij.
Përveç këtij ofendimi të rëndë, Gërvalla njerëzit në krye të LDK-së i kishte quajtur “pa parime, pa guxim, pa vizion politik dhe pa integritet persona”, e që sipas saj e “përdhunojnë vullnetin politik të elektoratit dhe anëtarëve të kësaj partie.
“LDK shpresë dhe besë dikur, ndoshta edhe nesër përsëri, por sot dhe me këto figura në krye, kurrsesi”, kishte shkruar në Facebook Gërvalla në 2019-tën.
Donika Gërvalla dhe reagimet e ofendimet e saj ndaj kundërshtarëve të saj politik zakonisht janë shumë të ashpra, shumë ofenduese dhe të rënda. Termet me të cilët ajo iu është drejtuar dikur dhe vazhdon të iu drejtohet krerëve dhe anëtarëve të këtyre partive siç zakonisht është “kriminel”, mund të jenë shkaku pse partitë opozitare vendosën të mos e votojnë atë.
Ndonëse bashkëpartiakët e saj u “prekën” pse nuk u votua vajza e Jusuf Gërvallës nga opozita, del se fakti që ajo është vajza e një veprimtari të madh shqiptar, nuk ia “falin” deklaratat e saj skandaloze drejt ish krerëve të UÇK-së dhe politikanëve të tjerë.
Donika Gërvalla, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ka të drejtë të jetë kandidate e VV-së për kryekuvendare vetëm edhe dy herë, e njëjtë me të edhe Albulena Haxhiu e cila gjithashtu nuk i mori 61 votat e nevojshme sot.
Seanca e radhës do të mbahet më 22 gusht, të premten në ora 11:00, ndërsa nuk dihet nëse do të jenë kandidatet e njëjta të propozuara nga VV. /Lajmi.net/