Albin Kurti tallet me qytetarët e Gjilanit dhe Anamoravës, pa pikë turpi e premton sërish përfundimin e autostradës
Albin Kurti, të dielën sërish e premtoi përfundimin e Autostradës së Gjilanit, kësaj radhe gjatë prezantimit të ekspozesë së Qeverisë Kurti 4, në seancën ku u votua për herë të katërt si Kryeministër i Kosovës. “Do të përfundojmë autostradën e Gjilanit deri te Dheu i Bardhë dhe lidhjen me korridorin 1”, tha Kurti para votimit…
Lajme
Albin Kurti, të dielën sërish e premtoi përfundimin e Autostradës së Gjilanit, kësaj radhe gjatë prezantimit të ekspozesë së Qeverisë Kurti 4, në seancën ku u votua për herë të katërt si Kryeministër i Kosovës.
“Do të përfundojmë autostradën e Gjilanit deri te Dheu i Bardhë dhe lidhjen me korridorin 1”, tha Kurti para votimit të Qeverisë së re.
Premtimi, megjithatë, nuk është i ri. Përkundrazi, Autostrada Prishtinë–Gjilan është bërë një nga projektet që duket se po kalon nga një mandat në tjetrin, ndërsa afatet për përfundimin e saj po shtyhen bashkë me premtimet.
Punimet për autostradën nisën në vitin 2018, ndërsa projekti fillimisht ishte paraparë të përfundonte brenda rreth 30 muajsh. Që nga atëherë kanë kaluar vite të tëra, janë dhënë afate të ndryshme dhe janë shpenzuar miliona euro, por rruga ende nuk është përfunduar.
Madje, më 21 korrik 2023, Kurti kishte deklaruar se autostrada po bëhej dhe se do të hapej brenda atij viti.
“Prishtina po lidhet me Gjilanin me autostradë. Pra, Autostrada Prishtinë-Gjilan po bëhet. Ajo hapet këtë vit. Urime!”, kishte shkruar Kurti në një postim në Facebook.
Por viti 2023 kaloi. Edhe 2024 e 2025 kaluan. Tash jemi në vitin 2026 dhe autostrada ende nuk është përfunduar.
Dhe ja ku jemi sërish: Qeveria Kurti 4, një mandat i ri dhe një premtim i vjetër.
Në vend që qytetarët të dëgjonin se kur po përfundojnë punimet e një projekti që është dashur të përfundojë vite më parë, dëgjuan edhe një herë premtimin se do të përfundojë.
Pra, autostrada nuk e përfundoi mandatin e kaluar, por premtimi për autostradën po e vazhdon mandatin pa problem.
Në vitin 2023 u tha: “Ajo hapet këtë vit.”
Në vitin 2026 po thuhet: “Do ta përfundojmë.”
Duket se autostrada po ecën me kilometra, ndërsa premtimi po ecën me mandate.
Dhe kështu, Autostrada e Gjilanit tashmë nuk ka vetëm një projekt ndërtimi. Ka edhe një histori të gjatë me premtime, afate dhe ripremtime.
Nëse një qytetar në Gjilan pyet se kur do të përfundojë autostrada, përgjigjja duket se është bërë më e thjeshtë: sa herë që nis një mandat i ri, nis edhe një premtim i ri për të njëjtën autostradë.
2018 – nisën punimet.
2023 – “hapet këtë vit”.
2026 – “do ta përfundojmë”.
Mandati i katërt – premtimi i radhës.
Mbetet vetëm të shihet nëse këtë herë do të përfundojë autostrada, apo vetëm do të përfundojë edhe një ekspoze me premtime. /Lajmi.net/