18 vite dënim për Nikën, nëna viktimës: Clara e mori drejtësinë, faleminderit Kosovë

Magdalena Urdangaray, nëna e Maria Clara Urdangaray, ka thënë se vajza e saj ka marrë drejtësinë dhe për këtë falënderoi institucionet e drejtësisë së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me 18 vjet burgim Endrit Nikën për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase më 1 gusht 2023, në një hotel në Fushë-Kosovë. Pas…

Lajme

19/02/2026 10:19

Magdalena Urdangaray, nëna e Maria Clara Urdangaray, ka thënë se vajza e saj ka marrë drejtësinë dhe për këtë falënderoi institucionet e drejtësisë së Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me 18 vjet burgim Endrit Nikën për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase më 1 gusht 2023, në një hotel në Fushë-Kosovë.

Pas shpalljes së aktgjykimit të enjten, Magdalena u shpreh se gjithmonë kanë besuar në drejtësinë e Kosovës.

“Përkundër të gjitha vështirësive, ka qenë e vështirë nga fillimi për ta rikthyer… por ne gjithmonë kemi besuar në drejtësinë e Kosovës. E vlerësojmë shumë punën e prokurorit që gjithmonë është përpjekur ta zbulojë të vërtetën. Dhe sot e ka dëshmuar me të gjithë provat. Klara e ka marrë drejtësinë. Faleminderit Kosovë, faleminderit gjithë shoqërisë që na mbështetën”, ka thënë ajo në lot dhe duke mbajtur flamurin e Kosovës në duar.

Magdalena deklaroi se asgjë nuk mund t’i ngushëllojë për vdekjen e vajzës.

“Ajo vazhdon të jetë e vdekur, asgjë nuk mund të na ngushëllojë dhe ai vazhdon të jetojë. Vajza jonë mbeti e vdekur në formë më brutale”, përfundoi nëna e Claras.