15 vjeç në Kombëtare
Martin Odegaard po e çmend Norvegjinë, por edhe më gjerë. Në moshën 15 vjeçari, talenti i Stroemgodset pritet të debutojë në përfaqësuese në ndeshje me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sport
Quhet Martin Odegaard dhe është një yll i ri që po lind në futbollin norvegjez.
Me tre golat dhe gjashtë asistime në 14 ndeshje, mesfushori i Stroemgodset e ka fituar një ftesë në Kombëtare.
Asgjë nuk do të ishte aq e shkëlqyer dhe mahnitëse, nëse nuk do ta shikonim kartën e tij të identitetit.
Në fakt, në të shkruan se ky futbollist është lindur më 17 dhjetor të vitit 1998.
Me 15 vjet e 253 ditë, talenti do ta ketë mundësinë të debutojë ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe më 27 gusht.
“Ka demonstruar paraqitje të shkëlqyeshme në kampionat dhe tash dua ta shoh në aksion edhe në fanellën e Përfaqësueses. Kam thënë se mund të jetë një yll, tash mund të bëhet lojtari më i ri i përfaqësueses norvegjeze”, ka thënë selektori Per-Mathias Hoegmo.
Ndërkaq, vetë futbollisti, mezi pret të debutojë me ekipin e parë të përfaqësueses. “Është e jashtëzakonshme, zbavitëse. Një ëndërr që u bë realitet. Jam ende i turbullt”, ka thënë ai.
Për talentin norvegjez, interesim kanë shprehur skuadrat e mëdha evropiane si Manchester United, Bayern Munich dhe Real Madrid. Madje, gjiganti spanjoll duket se është i gatshëm t’i shpenzojë 35 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e futbollistit.