Xhelal Sveçla shpallet fajtor për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fjator ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend më 21 mars 2018. Saktësisht, Sveçla u shpall fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Vendimi është marrë të mërkurën nga gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj, raporton…

Lajme

02/09/2026 09:19

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fjator ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend më 21 mars 2018. Saktësisht, Sveçla u shpall fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Vendimi është marrë të mërkurën nga gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndërsa, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale, Gjykata mori aktgjykim refuzues.

Për veprën penale për të cilën u shpall fajtor ministri në detyrë, gjykatësi Sadikaj tha se vendimi mbi dënimin do të shpallet pas mbajtjes së seancës ku palët do të paraqesin rrethanat lehtësuese dhe rënduese, seancë e cila do të bëhet më 8 shtator 2026.

I akuzuari Sveçla mungoi në seancë, ndërkaq i pranishëm ishte avokati i tij, Laur Prenaj.

Në seancën e 28 gushtit 2026, prokurori Avni Namani ka njoftuar se Prokuroria ka ndryshuar dispozitivin e aktakuzës ndaj Sveçlës.

Sipas aktakuzës së ndryshuar, Xhelal Sveçla më 21 mars 2018, nga ora 12:10 deri në orën 15:40, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë mbajtjes së një seance të jashtëzakonshme plenare, ngarkohej se ka përdorur bombolën e gazit lotsjellës me përmbajtje të agjentit kimik CS. Sipas Prokurorisë, Sveçla në disa raste e ka aktivizuar bombolën dhe e ka hedhur brenda sallës së Kuvendit, pa paralajmërim paraprak dhe pa u dhënë personave të pranishëm mundësinë për t’u larguar.

Si pasojë, sipas aktakuzës, gazi irritues është përhapur në hapësirat e mbyllura të sallës, duke bërë që personat e pranishëm, nga frika për shëndetin dhe sigurinë e tyre, të detyroheshin ta lëshonin sallën dhe seanca të ndërpritej.

Prokurori Namani ka bërë të ditur se Sveçla akuzohet për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 2 i Kodit Penal të vitit 2012. Ndërkohë, Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të parashkrimit të kësaj vepre. Pjesa tjetër e aktakuzës ka mbetur e pandryshuar.

Bashkë me Sveçlën po akuzohen edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, ish-deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku. Por, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mungoi në seancën e 16 janarit 2026, duke njoftuar me e-mail se gjendet jashtë vendit, andaj Gjykata vendosi të veçojë procedurën penale ndaj tij.

Në seancën e 10 prillit 2026, Sveçla u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.

Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.