Lirohet nga të gjitha akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë, Shukri Buja: Fitore e cila vërteton pafajësinë time dhe pastërtinë e UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në vazhdimësinë e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit sot dha dëshminë e tij për të katrën ditë radhazi, Shukri Buja. Dëshmia e sotme duket që paraqet edhe fundin e procesit hetimor për të. Para…

Lajme

07/11/2024 18:26

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në vazhdimësinë e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit sot dha dëshminë e tij për të katrën ditë radhazi, Shukri Buja.

Dëshmia e sotme duket që paraqet edhe fundin e procesit hetimor për të.

Para pak minutash përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Buja njoftoi se pas procesit hetimor që zgjati mbi pesë vjet, duke filluar që nga viti 2019, në fund është liruar nga të gjitha akuzat.

Buja u shpreh se kjo është një fitore e madhe dhe e rëndësishme e cila pos tjerash vërteton pafajësinë e tij por edhe pastërtinë dhe lavdinë e UÇK-së.

“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se pas një procesi të gjatë hetimor që zgjati mbi pesë vjet prej 2019,  më në fund jam liruar nga të gjitha akuzat e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë! Kjo është një fitore e madhe dhe e rëndësishme, e cila vërteton pafajësinë time por edhe pastërtinë dhe lavdinë e UÇK-së. Falë avokatëve të mi, Sir Geoffrey Nice dhe Taulant Hodaj, dhe insistimit të tyre për të mbyllur hetimet për mungesë provash, këtë javë mora konfirmimin zyrtar që gjithçka është mbyllur përfundimisht”, shkroi Buja në reagimin e tij.

E Buja ndër të tjera shtoi se beson që ky rast do të kontribuojë që drejtësia të thotë fjalën e fundit për luftëtarët që ende gjenden në Hagë duke shpresuar që edhe ata të kthehen faqebardhë dhe fitimtarë sa më shpejtë.

“Ky është rasti i parë i mbyllur për veprat penale të krimeve të luftës të hetuara nga kjo Prokurori në mënyrë zyrtare. Besoj se ky rast im do të kontribuojë që drejtësia të thotë fjalën e fundit për bashkëluftëtarët tanë që ende gjenden në Hagë dhe shpresoj që edhe ata të kthehen faqebardhë dhe fitimtarë sa më shpejtë. Lufta jonë, si popull, ka qenë një përpjekje e drejtë dhe legjitime për liri kundër okupatorit serbo-jugosllav, të cilët kanë kryer krime të rënda ndaj popullit tonë. Lufta jonë çlirimtare ishte e imponueshme dhe e drejtë”, tha ai ndër të tjera./Lajmi.net