“Kurti po luan me standarde të dyfishta“ – Opozita për kushtet e Kurtit në Bruksel

Të mërkurën që lam pas, është zhvilluar takimi dypalësh në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Por një takim trepalësh së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk u mbajtë ashtu siç ishte planifikuar pasi Kosova refuzoi një takim të tillë. Ishte Borell ai…

Lajme

28/06/2024 12:22

Të mërkurën që lam pas, është zhvilluar takimi dypalësh në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Por një takim trepalësh së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk u mbajtë ashtu siç ishte planifikuar pasi Kosova refuzoi një takim të tillë.

Ishte Borell ai që bëri publike se kryeministri Kurti nuk pranoi takim me Vuçiqin pa u plotësuar tri kushte të cilat i ofroi ai.

Kushtet e kryeministrit Kurti ishin formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; Tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.

Për opozitë dhe njohës të çështjeve politike Kosova është e obliguar, njëjtë sikur Serbia, të përmbushin obligimet që kanë dalë nga marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit.

Ata thonë se Kurti po e luan “të fortin” dhe këtë po e bënë vetëm për çështje elektorale.

Lutfi Haziri thotë se raporti i Kurtit me partnerët ndërkombëtarë është i kufizuar, sepse Kosova është e kufizuar me masa financiare dhe kufizime në takime nga BE-ja. Ai thotë se kushtëzimi i Kurtit për takim ka mundur të ndodhë në Prishtinë pa pasur nevojë të shkohet në Bruksel fare.

“Raporti i Kurtit me partnerët ndërkombëtarë që përfshinë BE-në, edhe ndërmjetësin ndërkombëtarë është raport i kushtëzuar, pasi jemi me masa financiare dhe kufizime në takime, ndërsa Kurti tani në dialog e kushtëzoi këtë raport me takim. Ka mund të ndodhë kjo në Prishtinë pa pasur nevojë me shkuar atje, sepse atje tregoi qartë se ka shkuar për t’i paraqitur tri kushte”, tha ai.

Por, lidhur me atë se Kurti nuk pranon takim me Vuçiqin pa përmbushje të tri kërkesave të tij, në anën tjetër është paralajmëruar takimi i Bislimit dhe Petkoviqit, kjo për Hazirin.

“Kjo i përngjanë takimit ‘Jemi marrë vesh për të mos u marrë vesh’, praktikisht palët janë dakorduar për të mos u dakorduar në takimin e Brukselit. Tani mekanizmi i negociatorëve të tyre, Bislimi dhe Petkoviq, është në kornizën e njëjtë. Praktikisht, do të ketë takim sa për të pasur takim por është edhe një lloj kundërshtie i asaj që ka ndodhë”, tha ai.

Haziri thotë se Kurti po pasqyron standardin e dyfishtë.

“Nëse ka raporte të kushtëzuara në negociata me bashkëpunim lidhur me rastin e atakut terrorist dhe bashkëpunimi për hetime në rastin e grupit të Radojçiq atëherë kjo duhet të jetë me efekte tjera. Zotri Kurti siç duket pasqyron standardin e dyfishta”, tha Haziri

Xhavit Haliti nga PDK thotë se kërkesat e Kurtit dje në Bruksel janë të dëshirueshme por që Serbia nuk ka obligim kushtetues në raport me to.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia janë të obliguara të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, dhe jo ultimatumet e Albin Kurtit.

“Kushtet e Kurtit janë të dëshirueshme por janë kërkesa të cilat Serbia nuk është e gatshme t’i plotësojë, nuk ka asnjë obligim kushtetues nuk e ka në raport me ato tri kërkesa. Kosova dhe Serbia janë të obliguar të zbatojmë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, dhe jo ultimatumet e Albin Kurti drejtuar BE-së dhe Serbisë”, tha ai.

Haliti thotë për “Front Online” se Kurti po e luan të fortin dhe për ta luajtur këtë rol duhet të ketë fuqi, ndërsa sipas tij, ai nuk ka kurrfarë fuqie.

“Kurti po e luan të fortin dhe për ta luajtur këtë rol duhet të ketë fuqi, por ai s’ka kurrfarë fuqie për ta lujatur të fortin dhe refuzuar BE-në dhe SHBA-të. Por, mbetët dhe është obligim që Albini t’i kryejë detyrat e veta por edhe klasa politike e Kosovës të unifikohet për t’u ulur në bisedime dhe për të filluar zbatimin e Marrëveshjeve”, tha ai.

Haliti thotë në fund se Kosovën nuk mund ta lëmë në terr dhe të izoluar nga BE-ja.
“Ne nuk mund ta lëmë Kosovën në terr dhe të izoluar nga BE-ja. Kosova duhet të jetë pjesë e integruar e BE-së dhe obligimet që dalin nga marrëveshjet janë obligime dhe duhet të zbatohen”, tha ai

Ish kryenegociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Avni Arifi thotë për “Front Online” se thotë se sjellja dhe refuzimet e Kurtit përsa i përket takimit me Vuçiqin janë arrogante, gjë për të cilën Kosova nuk ka nevojë në këtë fazë. “Sa u përket kërkesave, veçanërisht asaj për drejtësi që është kërkesë legjitime, që e kërkon edhe populli i Kosovës dhe gjithmonë çdo lider i Kosovës do ta ketë përkrahjen për një gjë të tillë. Sa u përket kërkesave tjera, sjellja dhe refuzimet e tij që të takohet me Vuçiqin besoj që është një lloj arrogance që Kosovës nuk i duhet në këtë fazë”, thotë ai.

Kushtin e Kurtit për nënshkrim për implementim të marrëveshjeve, Arifi e sheh veprim koti. “Sa i përket nënshkrimit për implementimin e marrëveshjeve është një veprim krejt koti, pasi ato janë fut në kapitullin e 35-të të BE-së.”

Arifi thotë se sjellja e Kurtit është tërësisht elektorale, pasi sipas tij, dëshiron me prezentu veten si njeri i fortë. “Është tërësisht elektorale prezentimi si njeri i fortë si ai që i përcakton kushtet e dialogut, si duket në vlerësimet e tij ka efekt pozitiv elektoral. Ne do të shohim situata të tilla”, thotë Arifi

Arton Demhasaj, njohës i çështjeve politike thotë për “Front Online” se kushtet e vendosura nga kryeministri Kurti në Bruksel janë valide, pasi sipas tij, nuk ka pse të negociohet me Serbinë për aq kohë sa kjo e fundit nuk pranon t’i zbatojë marrëveshjet.

“Kushtet që janë vendosur nga Kurti për takim me Vuçiqin, sidomos kushti i dytë dhe tretë janë valide pasi nuk ka arsye për me negociuar me Serbinë për aq kohë sa kjo e fundit zyrtarisht i ka dërguar shkresë BE-së, që nuk pranon me i zbatuar obligimet që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit. Edhe kërkesa për ekstradim të Radojçiqit pasi është vërtetu se ai duhet gjykuar për veprat kriminale që i ka kryer”, tha ai.

Demhasaj thotë se kushti për nënshkrim nuk do duhej me ekzistuar pasi nënshkrimi nuk garanton zbatim.

“Ndërsa sa i përket nënshkrimit mendoj që ai kusht s’është dashtë me ekzistuar pasi marrëveshjet janë dakorduar dhe palët kanë pranuar t’i zbatojnë obligimet dhe tash ky kusht nuk ka kurrfarë kuptimi. Nënshkrimi edhe në të kaluarën nuk ka garantua zbatim”, tha ai.

Për Demhajsajn është absurde që të ketë takim në mes Bislimit dhe Petkoviqit, derisa s’ka takim Kurti-Vuçiq.

“Duket e pakuptimtë që këto kushte i ke vendosë e në anën tjetër të njëjtat nuk vlejnë që zëvendëskryeministri Bislimi me shkuar pastaj me u taku me Petkoviq. Kjo është absurde. Kushtet që i ka vendosë nuk janë kushte të tij, si person, si individ por janë kushte të Qeverisë së Kosovës, që i vendosë Kosova. Prandaj ato nuk duhet të vlejnë njëjtë”, tha ai për Front Online.