Sllavisha Filiq shpallet fajtor për zhdukjen e mjekut Hafiz Shala, dënohet me 15 vite burgim
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit S.F., për shkak të veprës penale Krimi i Luftës kundër Popullatës Civile. I akuzuari S.F. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë (15) vite burgim. Ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i akuzuari…

Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit S.F., për shkak të veprës penale Krimi i Luftës kundër Popullatës Civile.
I akuzuari S.F. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë (15) vite burgim.
Ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i akuzuari S.F., në cilësinë e personit zyrtar, si Pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku edhe me dy zyrtarë tjerë të këtij shërbimi, deri më tani te panjohur për organet e ndjekjes, me datë 10.04.1998, derisa viktima H.Sh., mjek me profesion, kishte qenë duke udhëtuar me veturë private nga Gllogoci për në Prishtinë së bashku edhe me dy persona tjerë, përkatësisht H.S. dhe Sh.H., me të arritur në udhëkryqin e Sllatinës, afër aeroportit të Prishtinës, të njëjtit ishin ndaluar nga pjesëtarë të uniformuar të Policisë Serbe dhe Sigurimit Shtetëror të Serbisë, në mesin e të cilëve ishte edhe i akuzuari S.F., në atë mënyrë që pasi ishin ndaluar, fillimisht ishin legjitimuar nga ana e policisë, pastaj H.Sh. ishte marrë nga i akuzuari S.F. dhe dy të dyshuarit tjerë – të tre të veshur me rroba civile, i njëjti ishte futur në veturën “Opel”, e tipit “Frontera”, me targa të regjistrimit PR-986-16, të cilën e drejtonte i akuzuari S.F., dhe ishte dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku fillimisht u ishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe nga ajo ditë për fatin e tij nuk dihet asgjë, andaj me këtë në bashkëkryerje, ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.
Obligohet i akuzuari S.F. që në emër të shpenzimeve të procedurës, të paguaj paushallin gjyqësor në shumën prej 200.00 (dyqind) euro, ndërsa për programin për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 100.00 (njëqind) euro.
Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko civil.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.