100 mijë euro për Festën e Pavarësisë

Festimet për gjashtë vjetorin e Pavarësisë do të nisin me 14 Shkurt. Manifestimet qendrore janë rezervuar për datën 17 , të cilat nisin me paradën e FSK’së dhe Policisë, vazhdojnë me seancën solemne të Kuvendit dhe përmbyllen me koncertin festiv në Shesh.

Lajme

02/02/2014 08:51

Institucionet e Kosovës po bëjnë përgatitjet fundit për të festuar gjashtë vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Festa e pavarësisë do të nis me 14 Shkurt me shfaqje teatrale për fëmijë e të rritur ndërsa do të kulmojë më 17 Shkurt me defilimin në shesh të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të policisë dhe me seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, shkruan sot Tribuna.

Për shënimin e kësaj feste Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 mijë euro.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, i ka thënë kësaj gazete se tashmë shumica e përgatitjeve për shënimin e gjashtë vjetorit të pavarësisë janë bërë.

“Aktiviteti i parë do të jetë me datën 14 Shkurt ku do të ketë ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Kjo ekspozitë do të jetë nga arkivi i Marubit, që vjen për herë të parë në Kosovë“.

“Me datën 15 shkurt pastaj do të ketë aktivitetet tjera deri më datën 17 shkurt, ku do të kulmojë me paradën e njësive të FSK’së dhe Policisë së Kosovës në Sheshin kryesor të Prishtinës”.

“Po ashtu me 17 shkurt do të ketë një pritje nga Presidentja, pastaj do të jetë edhe një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës”.

“Do të mbahet edhe një koncert i muzikës klasike nga tenori i mirënjohur shqiptar Agim Hushi dhe një koncert nga Ansambli Shota dhe në mbrëmje në shesh do të ketë një koncert qendror që tashmë është bërë tradicional”, ka thënë për Tribuna ministri Krasniqi, i cili është pjesë e Këshillit Organizativ.

Sigurisht se festimet do të mbyllen krahas këngëve e valleve dhe me fishekzjarrë.

Kosova shpalli pavarësinë e saj, më 17 Shkurt të vitit 2008, pas përpjekjeve të gjata shekullore për liri, dinjitet e shtet.

Deri tash shteti i Kosovës është njohur nga 105 shtetet të ndryshme të botës, duke përfshirë shtetet kryesore dhe më të fuqishme të Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.