1 Maji në Ferizaj shënohet me aktivitete simbolike nga shoqëria civile
Aktivitete në shënimin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, në Ferizaj kanë mbajtur dy organizata të shoqërisë civile, të cilat tubojnë rreth vetes kryesisht të rinj, përmes të cilave kanë bartur mesazhin tek institucionet relevante të vendit, për të bërë më shumë në drejtim të hapjes së vendeve të punës dhe punësimit, përkatësisht zbutjes së njërit prej problemeve më të mprehta të shoqërisë.

Lajme
Me pankarta në duar, kanë tërhequr vëmendjen se 1 Maji vazhdon të përjetohet si festë e punëtorëve në një vend që ka një armatë të tërë të të papunëve, të cilët jetojnë në kushte skajshmërisht të rënda.
Blerina Nazifi, drejtoreshë e organizatës QEMKS-IDENTITETI ka thënë se performanca e tyre ka të bëjë me aspektin e të dëgjuarit të kërkesave të të papunëve nga ana e pushtetarëve dhe evitimin e të sjellurit indiferent ndaj këtyre kërkesave, siç ka ndodhur deri më tani.
“Qëllimi i këtij organizimi ka të bëjë me integrimin në shoqëri të një pjesë të shoqërisë sonë, e cila ka mbetur e pa integruar”, ka thënë Nazifi, duke u ndalë tek simbolika e këtij aktiviteti, të përbërë nga 6 veta që simbolizonin yjet e flamurit të shtetit dhe tjerët të mbetur jashtë këtij rrethi.
Ndërsa Belkize Islami nga grupi joformal “Lëvizja për Aktivizim” që tubon pjesëtarë të komunitetit ashkali ka thënë se punësimi në shkallë shumë të ulët të komunitetit ashkali është brengosës, pasi 70 për qind e tyre janë të papunë dhe jetojnë në varfëri ekstreme.
“Ne kërkojmë të zbatohet 10 për qindshi në punësim për komunitete, i cili është i garantuar me Kushtetutë dhe ligjet ne fuqi, pastaj zbatimin e strategjisë për punësim që ka një afat realizimi deri në fund të këtij viti, të gjitha këto me qëllim të shmangies së diskriminimit të mëtejmë”, ka thënë Islami, ndërsa ka shtuar se kushtet e rënda dhe papunësia ka atakuar ndjeshëm komunitetin ashkali, i cili është detyruar të migrojë jashtë vendit në kërkim të një jete më të mirë.
Ndryshe në qytetin e Ferizajt, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve është parë si ditë e zakonshme pushimi./KosovaPress/