​Sancho do të mungoj në ndeshjen e kthimit kundër Manchester Cityt

Sulmuesi anësor i Borussia Dortmundit Jadon Sancho, do të mungoj në ndeshjen e kthimit kundër Manchester Cityt, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikim drejt gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.

Sport

13/04/2021 17:24

Anglezi nuk u paraqit në ndeshjen e parë, të cilën City e fitoi me rezultat 2:1, për shkak të një problemi me lëndim, përcjell KosovaPress.

Skuadra gjermane shpresonte që Sancho do të rikthehej në ndeshjen e dytë, por si duket kjo ndeshje do të vijë shumë shpejt për të.

Duke folur në një konferencë për media, trajneri në detyrë i Dortmundit Edin Terzic tregoi që skuadra e tij do të jetë pa shërbimet e Sanchos në ndeshjen kundër Cityt.

“Jadon nuk do të jetë me ne. Ai ka vazhduar seancat përgatitore, është duke e bërë më të mirën , dhe ne dëshirojmë që ai të jetë i gatshëm, por fatkeqësisht nuk është. I duhet kohë ende që të rikthehet”, tha Terzic.

Po ashtu, Terzic tregoi që Dortmundi nuk do a ketë vetëm problemin e Jadon Sanchos, sepse siç raportohet, Marco Reus dhe Mats Hummels janë në dyshim për tu paraqitur.

“Kemi edhe disa probleme të vogla. Duhet të presim. Marco Reus dhe Mats Hummels duhet që të zëvendësoheshin në ndeshjen e kaluar të shtunën. E kemi edhe një seancë të fundit përgatitore dhe mbetet të shihet se cilët lojtar i kemi në dispozicion”, shtoi Terzic.

Borussia Dortmund do të zhvilloj ndeshjen e kthimit kundër Manchester Cityt, ndeshje kjo që do të zhvillohet në stadiumin “Signal Iduna Park”, dhe e vlefshme për të siguruar biletën drejt gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.