​Kurti ngushëllon familjen Zymberi

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Zymberi për ndarjen nga jeta të Muharrem Zymberit, babait të heroit Enver Zymberi.

Lajme

08/12/2021 20:04

Kurti ka thënë se Muharrem Zymberi jetoi me ndjenjën e lartë të patriotizmit, me të cilin i ushqeu e rriti edhe pasardhësit e tij, që me nder kontribuuan e vazhdojnë të kontribuojnë për Kosovën.

“Me bacën Rremë jam takuar në vitin 1999, në Burgun e Pozharevcit, ku kemi qenë për një vit bashkë. Jemi takuar shumë herë në vitet pasuese. Më 29 maj 2021, Baca Rremë bashkë me vajzën Shyhrete Zymberi-Brahimi dhe djalin Çlirimin, i cili i shërben vendit si pjesëtar i Policisë së Kosovës, më patën vizituar në zyrë”, thuhet në telegram.

“Sivjet u patëm takuar edhe në Dubovc të Vushtrrisë, më 26 korrik, në 10 vjetorin e rënies së Enver Zymberit, i cili dha jetën në krye të detyrës si pjesëtar i forcave speciale të Policisë së Kosovës. Pas homazheve dhe vendosjes së luleve të freskëta te varri i Enverit, pata vizituar edhe familjen Zymberi”, thuhet tutje në telegram.

Kurti ka thënë se baca Rremë ishte shembulli i njeriut atdhedashës, trim e i qëndrueshëm, punëtor dhe dashamirës, me përkushtim të pakursyer për Kosovën dhe si i tillë do të kujtohet përherë.

“Jeta dhe veprimtaria e tij, ishte dhe do të mbetet frymëzim për të gjithë ata që lartësojnë vlerat e kombit dhe i mishërojnë ato në punë e angazhim për atdheun”, thuhet në telegram.

Enver Zymberi, oficer i Policisë së Kosovës, është vrarë në përballje me një grup serbësh të armatosur në veri, gjatë operacionit të 25 korrikut 2011 të forcave kosovare për të rimarrë kontrollin në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Tri vjet më pas, polica e EULEX-it e kishte arrestuar si të dyshuar për vrasjen e Zymberit, Radomir Radiçin dhe Millovan Vllaskoviçin, të cilët më pas Gjykata Themelore e Mitrovicës i kishte shpallur të pafajshëm nga akuzuat që u viheshin në barrë.

Ndërkaq në vitin 2015 ishin arrestuar shefi i Operativës në Policinë e Kosovës në stacionin e veriut të Mitrovicës, Miodrag Llekiç, si dhe vëllai i tij, po ashtu pjesëtar i policisë në këtë stacion si të dyshuar për vrasjen e Zymberit.

Vëllezërit Llekiç ishin intervistuar në cilësinë e të dyshuarve nga zyrtarë të EULEX-it. Por, vetëm një muaj më pas dy të lartcekurit ishin liruar si të pafajshëm nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.

Megjithatë, kur kanë kaluar një dekadë nga vrasja e Zymberit, ende nuk është ndriçuar ky rast nga organet e rendit.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka dhënë titullin “Hero i Kosovës”, Enver Zymberit, me motivacionin “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.