​Banka Botërore zotohet për vazhdimin e mbështetjes për Kosovën

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Haki Abazi pritën sot në takim drejtoreshën rajonale të Ballkanit Perëndimor, Linda Van Gelder dhe drejtorin për Kosovë Marco Mantovanelli nga Banka Botërore.

Lajme

26/02/2020 13:06

Në këtë takim u paraqitën prioritetet e veprimit të shpejtë të qeverisë, me theks në projektligjin e buxhetit për 2020, reduktimin dhe shkrirjen numrit të ministrive dhe në përçimin e marrëveshjes së koalicionit në program qeverisës dhe plan pune, transmeton lajmi.net.

Kurti dhe Abazi shprehën përkushtimin e Qeverisë për objektivat e zhvillimit të vendit, ndërsa thanë se brengë e shoqërisë është migrimi, ndaj duhet një plan urgjent zhvillimi që u rikthen njerëzve besimin për të qëndruar në Kosovë dhe motivon kthimin e trurit nga jashtë.

“Potencialet janë mes nesh, por investimet nuk janë adresuar në mënyrën e duhur dhe janë përqendruar në fushat e gabuara.

Kryeministri shprehu edhe besimin se qeverisja do t’iu kthejë njerëzve një lidhje të re me tokën e tyre, duke pasur parasysh këtu edhe pasuritë dhe burimet natyrore. Kosova nuk duhet të jetë më një vend tranziti për qytetarët e vet. Kjo mendësi duhet të transformohet”, tha Abazi.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore u zotuan se do të vazhdojë mbështetja për Kosovën nëpërmjet Asociacionit për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA), gjë që ndodh përmes kredive e granteve me interes të ulët, teksa prioritetet e Bankës Botërore do të jetë siguria e ujërave dhe ambienti. /Lajmi.net/