Veseli: Transformimi dhe aftësimi i Trepçës, burim i zhvillimit të vendit

Nën organizimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot në Prishtinë u mbajt Tryeza e punës “Ecuritë në transformimin e Trepçës”, në të cilën morën pjesë drejtues të tjerë të lartë të institucioneve, Kryeministri Mustafa, ministra, deputetë të Kuvendit, ekspertë të njohur vendorë e ndërkombëtarë. 

Lajme

04/06/2016 11:02

Në fjalën e tij Veseli vuri theksin të nevoja e një konsensusi të brendshëm lidhur me “Trepçën”, i cili do të mbështetej në disa pika.

Veseli, tha se do të duhej të ketë një participim të sektorit privat në Trepçë, pa pjesëmarrje substanciale të të cilit nuk mund të ketë revitalizim të prodhimit, të minerave dhe të metalurgjisë, thuhet në komunikatën e Kuvendit të Kosovës.

“Kujdesi ndaj punëtorëve dhe komunitetit përreth kësaj industrie do të duhej të ishte maksimal.  Këta punëtorë kanë sakrifikuar gjithçka nga vetja e tyre, jo vetëm për këtë industri. Për më tepër, ata ishin pararendës në çdo iniciativë për lirinë e vendit. Prandaj, ne duhet të jemi të ndjeshëm ndaj këtij procesi. Ndoshta do të duhet konsideruar edhe mundësinë që një pjesë e aksioneve të Trepcës t’u takojnë atyre”, theksoi ai.

Veseli shtoi se një kujdes i veçantë i duhet kushtuar edhe mjedisit.

Në vazhdim, ai tha se Trepça është ajo e cila është esploatuar në mënyrë të pamëshirshme.

“Edhe ashtu kreditori me i madh në Trepçë është Qeveria e Kosovës dhe punëtorët e saj. Të tjerat do të duhet trajtuar me kujdesin më të madh, meqenëse kanë qenë në kohë të errëta dhe me shumë dilema të ndërlidhura me regjimin e Milosheviqit. Prandaj, na duhet një ekip më i mirë i ekspertëve ligjorë për ta mbrojtur kauzën tonë. Kështu që, në këtë strategji ne duhet të mendojmë urgjentisht për këtë punë. Në fakt, ndoshta do të duhej të ngrisim padi për dëmet qi i janë shkaktuar Trepçës dhe mjedisit përreth”, tha kryetari Veseli./ lajmi.net.