Të Infektuar: 106.022

Të Shëruar: 96.668

Të Vdekur: 2.198

​Xhudo mund t’i sjellë Kosovës medalje nga Evropiani i Lisbonës

16:47 | 14 Prill 2021

Kur kanë mbetur edhe 100 ditë deri në hapjen e Lojërave Olimpike Tokio 2020, ekipi olimpik i Kosovës në xhudo po kërkon medaljet e reja nga Kampionati Evropian i Lisbonës së Portugalisë, që mbahet prej 16-18 prill 2021.

Për dallim nga Evropiani i vitit të kaluar, i mbajtur në Pragë të Republikës së Çekisë, ku ekipi i xhudos u paraqit vetëm me tri xhudiste, shkaku i daljes pozitiv të xhudistëve tjerë, në Lisbon do të paraqiten me gjashtë garues.

Distria Krasniqi (-48 kilogramë), Nora Gjakova (-57 kg), Flaka Loxha (-57 kg), Loriana Kuka (-78 kg), Laura Fazliu (-63 kg) dhe Akil Gjakova (-73 kg), do të synojnë medalje dhe pikë të reja olimpike, ndërsa kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, do të pushojë.

Xhudo momentalisht qëndron brenda pesë normave olimpike, të cilat mbeten vetëm për t’u konfirmuar edhe zyrtarisht për Majlindën, Distrian, Norën, Lorianën dhe Akilin. Të gjithë këta qëndrojnë në top-10 të renditjes olimpike dhe pikët e reja iu duhen për të përmirësuar renditjen.

Normën e gjashtë xhudo po e kërkon me Laura Fazliun, e cila momentalisht ndodhet në vendin 50 në renditjen olimpike të kategorisë -63 kg.

Shorti do të hedhet të enjten, ndërsa në ditën e parë të garave (e premte), garojnë Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Flaka Loxha.