​Shkollat profesionale, mundësi më e lehtë për punësim

13:29 | 15 Shkurt 2020

Shkalla e papunësisë në Kosovë vazhdon të jetë në nivel të lartë, e krejt kjo për shkak se një numër i të rinjve pas përfundimit të studimeve mbetën të pa punë.

Derisa gjetja e një vendi pune konsiderohet si mision i vështirë, ndryshe mendojnë profesor dhe nxënës të cilët kanë vendosur të zgjedhin shkollat profesionale për studim, sipas tyre shkollat profesionale janë zgjidhje e duhur dhe punë e garantuar për të ardhmen.

Një shkollë e tillë me investime kapitale rreth 2 milionë euro, gjendët në Prishtinë. Ajo është shkolla e mesme e larte profesionale ‘Shtjefën Gjeqovi’, e cila ka tri drejtime kryesore si makineria, transporti, trafiku, dhe tekstili. Në kuadër të këtyre hyn 13 profile.

E falë pajisjeve kualitative dhe punës së mirëfilltë që bëhet në këtë shkollë profesionale, rreth 80 përqind e këtyre nxënësve menjëherë pas përfundimit të kësaj sh kolle punësohen.

Drejtori i shkollës së mesme të lartë profesionale “Shtjefën Gjeqovi” Blerim Gervalla, thotë për KosovaPress, se shkollat profesionale janë promotor i zhvillimit ekonomik të një shteti, e për këtë arsye Gervalla iu bën thirrje institucioneve që t’i përkrahin dhe të bëjnë më shumë për këto shkolla.

“Edhe koha po e vërteton që shkollat profesionale janë promotor i zhvillimit ekonomik të një shteti, edhe në shtetet e zhvilluara perëndimore ju jepet rëndësi jashtëzakonisht e madhe shkollave profesionale, prandaj unë bëj thirrje apo apel nga këtu, që edhe institucionet duhet të na japin mbështetje apo përkrahje shumë më të madhe se deri më tani, për arsye se shtysë e zhvillimit ekonomik janë shkollat profesionale”, deklaroi Gervalla.

Gervalla i ink urajon nxënësit që të bëhen pjesë e kësaj shkolle, pasi që sipas tij, rreth 80 përqind e nxënësve që vijojnë mësimin në këtë shkollë, punësohen dhe se diplomat e kësaj shkolle njihen edhe në vendet perëndimore. E krejt kjo falë bashkëpunimit që kanë pasur me Odën Zejtare të Dortmudit, të cilët kanë investuar në këtë shkollë rreth dy milion euro.

“Si mbas hulumtimit të fundit që e kemi bërë dhe ia kemi dërguar punëdhënësit tonë. Agjencisë për arsim dhe aftësim profesional diku 80 përqind e nxënësve që diplomojnë në shkollën tonë punësohen, apo kanë gjetur veten në tregun e punës… Diplomat e shkollës sonë po njihen edhe në perëndim, për arsye se ne kemi pas bashkëpunim jashtëzakonisht të madh, sidomos prej vitit 2010 me Odën Zejtare të Dortmudit, ku investimet kapital e në shkollën tonë kanë qenë rreth 2 milionë euro. I kemi pajisjet më modern më të sofistikuara, pastaj edhe te profilet e tjera te instaluesit e ngrohjes, metal punuesit, salduesit, pra kemi makineri të mjaftueshme që lirishtë muaj me quajt si fabrikë e kemi shkollën tonë”, u shpreh Gervalla.

Të njëjtin mendim ndan edhe inxhinieri i makinerisë- drejtimi saldues, Refik Ismajli, sipas të cilit shkolla profesionale ‘Shtjefën Gjeqovi’, i ka të gjitha kushtet për realizimin e procesit të praktikës profesionale.

Ismajli tha se kërkesa e tregut të punës për drejtimin e saldimit është jashtëzakonisht e madhe.

“Kjo shkollë i ka të gjitha kushtet për realizimin e procesit të praktikës profesionale, nxënësit e drejtimit të saldimit janë vërtet shumë të interesuar….Kërkesë e tregut të punës për drejtimin e saldimit është jashtëzakonisht e madhe sa që presioni i ndërmarrjeve private, që t’i marrin edhe para se të kryejnë shkollë këtu është i madh, mirëpo ne me plan programin e shkollës klasën e 12 e kemi realizimin e praktikës profesionale në punëtori jashtë dhe këta menjëherë i merr tregu i punës sepse për saldues është nevoja shumë e madhe e tregut të punës, sidomos në regjionin e Prishtinës”, u shpreh Ismajli për KosovaPress.

E nxënësi Ilir Mustafa në drejtimin saldues, i tha KosovaPress-it, se kjo shkollë i ka ndihmuar shumë. Sipas tij, krejt çka i duhet për jetë i ka mësuar në këtë shkollë.

“Më ndihmon se nuk ka aq në këtë drejtim. Krejt janë nëpër gjimnaze dhe për zanate nuk ka shumë drejtime, për atë janë të kërkuar më shumë në treg…Më ka ndihmu shumë sepse i kemi mësuar krejt çka na duhet për jetë këtu”, u shpreh Mustafa.

Nxënësi tjetër Muhamet Hyseni në drejtimin mekanik, tha se drejtimi i tij është shumë i mirë dhe sjellë shumë të ardhura. Për këtë arsye Hyseni iu bë thirrje bashkëmoshatarëve të tij që të bëhen pjesë e kësaj shkolle.

“Ky drejtim më pëlqen shumë sepse në të ardhmen ka shumë të ardhura personale dhe kamë dëshirë që në të ardhmen të jem mekanik i ardhshëm në Kosovë, këtu kushtet i kemi shumë të mira, kemi mirëmbajtje, higjienë dhe mjete për punim shpresoj që të hec puna sa më mirë qysh ka hec deri tash. Ky drejtim është shumë i mirë sepse sjell edhe të ardhura profitabile, i nxis edhe të tjerët të vijnë në këtë drejtim sepse është drejtim shumë i mirë”, tha Hyseni.

Hyseni ka një lutje për qeverinë e re, që të përkrahin këtë shkollë, pasi që sipas tij, shkollat profesionale kanë rëndësi të madhe në shtetet në ndërtim.

Ndryshe, nëKosovë konsiderohet që janë 66 shkolla profesionale me 46 mijë nxënës.