​Kosova mposhtet nga Hungaria në FIBA European Challengers

23:20 | 21 Korrik 2021

Kombëtarja e Kosovës në basketboll ka pësuar humbje të thellë me rezultat 46:92 kundër asaj të Hungarisë, takim ky që ishte i vlefshëm për FIBA European Challengers.

Basketbollistët hungarezë treguan paraqitje tejet të mirë në këtë përballje, ku pas dy periodave të para, drejt zhveshtoreve hynë me rezultat 21:49, përcjell KosovaPress.

Fillimisht, në periodën e parë, Hungaria regjistroi rezultat prej 11:26, ndërsa në të dytën vazhdoi me dominim, duke regjistruar shifrat 10:23.

Perioda e tretë ishte më e baraspeshuar për të dy kombëtaret, ku me rezultat të ngushtë 12:13, Hungaria e vazhdoi paraqitjen e mirë në këtë ndeshje.

Perioda e katërt dhe e fundit e këtij takimi regjistroi rezultatin më të thellë, ku me shifrat 13:30, Kombëtarja e Hungarisë siguroi fitoren prej 46:92 kundër Kosovës.

Deri tani, Kosova ka regjistruar dy humbje në këtë kampionat, aq sa ka edhe Sllovakia, ndërsa me nga dy fitore janë Bjellorusia dhe Hungaria.

“Dardanët” do ta zhvillojnë përballjen e radhës kundër Sllovakisë ditën e enjte me fillim nga ora 18:00.