Zyrtarja e lartë e BE-së, opozitës: Duhet të jeni konstruktiv për vizat, dialogun…

Zyrtarja e BE-së e cila ka qëndruar sot në Kosovë, përveç Haradinajt e Veselit, ka takuar edhe përfaqësuesit e opozitës, Visar Ymerin e VV-së dhe Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lajme

14/09/2017 18:56

Sikurse përfaqësuesve të pushtetit, edhe atyrë opozitarë, Angelina Eichhorst, zëvendësdrejtoreshë Menaxhuese për Evropë dhe Drejtoreshë për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Evropian, ua ka bërë të qarta prioritetet e BEsë për autoritetet në Kosovë.

“Opozita është e rëndësishme në demokraci, por duhet të jetë konstruktive dhe t’i kontribuojë progresit të Kosovës nëpërmjet MSA’së, liberalizimit të vizave dhe dialogut” ka thënë Eichorst.

Eichorst sot gjatë ditës para mediave ka thënë se mesazhi i saj për liderët e Kosovës është që të njohin rëndësinë e momentit aktual duke menduar në mënyrë strategjike dhe duke kapur mundësinë për t’iu afruar BE’së sa më parë që është e mundur.

Zyrtarja e BE-së ka kërkuar reforma në fushën e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe të drejtave themelore të njeriut.

Ajo ka kërkuar ratifikimin e IPA 2016 e cila do të sjellë 70.5 milionë euro nga BE për popullin e Kosovës.